Refuzimi i bashkëpunimit Kosovë-Serbi për Banjskën “u shkon për shtat kriminelëve”
Bashkëpunimi gjyqësor ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është shumë i rëndësishëm, por në rastin e Banjskës është Serbia ajo që duhet t’ia dorëzojë Kosovës provat që ka dhe jo e kundërta, mendon Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ai shton se ky bashkëpunim duhet të jetë në nivel ndërmjet dy shteteve, pasi bëhet fjalë për një vepër të rëndë penale që ka ndodhur në territorin e Kosovës.
Në anën tjetër, Vesna Rakiq-Vodeneliq, profesoreshë e drejtësisë në pension nga Beogradi, mendon se insistimi në bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve “do të humbë” shumëçka nga ajo që mund të shërbejë si provë në procese.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, përmes Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), ka kërkuar nga Kosova informacion në lidhje me rastin e Banjskës, por Ministria e Drejtësisë e Kosovës më 14 gusht konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo kërkesë është refuzuar.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për REL-in më 13 gusht, tha se shpreson që Qeveria e Kosovës do të përgjigjet pozitivisht ndaj kërkesës së Serbisë për bashkëpunim në rastin e Banjskës, “sepse dëshironi që të siguroheni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”.
Çfarë ndodhi në Banjskë?
Një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator 2023, duke vrarë policin Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili në Kosovë lidhet me disa vepra penale, duke përfshirë vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.
Hetimin për sulmin në Banjskë po e udhëheqin organet gjyqësore të Kosovës dhe Serbisë, por deri më tani asnjëra palë nuk ka ngritur aktakuzë. Kosova e ka cilësuar këtë sulm si terrorist, ndërsa të përfshirët lidhen me shkeljen e rendit kushtetues dhe veprimtarinë kundër sistemit juridik të Kosovës, ndërsa në Serbi ky sulm cilësohet si “bashkëpunim për kryerje të veprave penale, vepër e rëndë kundër sigurisë së përgjithshme dhe prodhimi, mbajtja dhe tregtia e armëve pa leje”.
Miftaraj: Kosova nuk mund të japë informacione për proceset që janë në zhvillim
Ehat Miftaraj për Radion Evropa e Lirë shpjegon se ligjet në Kosovë nuk lejojnë dhënien e informacioneve për ndonjë shtet tjetër në lidhje me proceset gjyqësore që janë në zhvillim.
“Po flasim për një vepër penale e cila, nëse vërtetohet, mund të shqiptohet edhe me dënim të përjetshëm për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës, vepra që lidhen me agresion do të thotë nga një shtet tjetër”, sqaron ai.
Miftaraj, gjithashtu, shpjegon se Kosova i ka kërkuar bashkëpunim Serbisë në këtë rast, dhe se në fakt është Serbia ajo që duhet t’ia dorëzojë të gjitha informacionet ose provat Kosovës.
“Vepra penale është kryer në territorin e Republikës së Kosovës, është kryer kundër rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës, andaj autoriteti i vetëm kompetent për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar personat përgjegjës për këtë vepër penale janë autoritetet të Republikës së Kosovës. Kështu që, Kosova nuk mund të ndajë informata me Serbinë, e cila mund të fillojë një procedurë gjyqësore paralele”.
“E vetmja mënyrë që Serbia të fillojë një procedurë paralele është që Kosova të pranojë transferimin e procedurës penale në Serbi. Edhe në atë rast kjo do të ishte e vështirë të realizohej, sepse ligji penal e ndalon këtë për veprat penale që mund të ndëshkohen me më shumë se 10 vjet burgim”.
Serbia pa përgjigje për kërkesën e Kosovës
Ministria e Drejtësisë e Kosovës në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë theksoi, gjithashtu, se kërkesa e Serbisë është në kundërshtim me disa nene të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale dhe se “vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës”.
Sipas këtyre neneve, ofrimi i ndihmës mund të refuzohet nëse ekzekutimi i kërkesës rrezikon të cenojë sovranitetin, sigurinë, rendin publik ose interesat tjera themelore të Republikës së Kosovës, si dhe nëse kërkesa është në kundërshtim me sistemin juridik të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu theksohet se Serbia asnjëherë nuk i është përgjigjur kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës të dërguar në vitin 2023, “për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”.
Kjo ministri ka bërë thirrje për kryerjen e një hetimi ndërkombëtar për, siç ka thënë, “bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”.
Nga Zyra e BE-së, më herët, për Radion Evropa e Lirë kanë konfirmuar se përmes misionit të tyre për sundimin e ligjit në tetor të vitit të kaluar, një kërkesë nga Kosova për bashkëpunim juridik të ndërsjellë në rastin e Banjskës u është përcjellë autoriteteve serbe, por nuk është marrë asnjë përgjigje.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë dhe Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd me pyetjen përse nuk është dhënë përgjigje për kërkesën e Kosovës për bashkëpunim.
Përgjigje erdhi vetëm nga Prokuroria e Lartë Publike, por jo si përgjigje ndaj pyetjeve, por aty përsëritet se “Ministria e Drejtësisë e Serbisë i është drejtuar EULEX-it dhe ka kërkuar që t’i dorëzohet dokumentacioni i plotë” që ka të bëjë me Banjskën.
“Kalimi i përgjegjësisë u shkon për shtat kriminelëve”
Profesoresha Vesna Rakiq-Vodineliq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thotë se Serbia me gjasë po refuzon bashkëpunimin me Kosovën, sepse konsideron se në këtë mënyrë do të pranonte një marrëdhënie që i ngjan një marrëdhënieje ndërmjet dy shteteve.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj. Të dyja palët kanë filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe në vitin 2013 u arrit Marrëveshja për drejtësinë, me të cilën Beogradi zyrtar u zotua të pranojë juridiksionin e sistemit të drejtësisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe.
Megjithatë, bashkëpunimi juridik në terren kurrë nuk është vendosur.
“Nuk duhet pritur as nga njëra e as nga pala tjetër që të përmbushin detyrimet e tyre nga marrëveshja. Kjo del të jetë krejtësisht qesharake dhe në dëm të të dyja palëve, pasi bëhet fjalë për ndjekjen e kriminelëve”, thotë ajo.
Ehat Miftaraj shpjegon se nëse Serbia nuk bashkëpunon dhe nuk i ofron ndihmë Kosovës, atëherë Kosova duhet të zbatojë legjislacionin e vet për të ruajtur rendin kushtetues dhe juridik.
Ai shton se Serbia duhet të tregojë vullnet të mirë politik dhe të ekstradojë Radoiçiqin dhe personat e tjerë përgjegjës për sulmin në Banjskë, në Kosovë.
Për të ndodhur kjo, shton ai, është e nevojshme që palët të arrijnë një marrëveshje për ekstradim.
Ndaj Radoiçiqit është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga INTERPOL-i me kërkesë të Kosovës përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe disa herë ka kërkuar nga autoritetet në Serbi që të vihen para drejtësisë të gjithë të përfshirët në këtë rast./Radio Evropa e Lirë