Receta më e thjeshtë e rizotos është ajo me domate- Ja si ta përgatisni!
Ndryshe nga rizotoja me perime, kjo recetë kërkon më pak përbërës dhe mund të përgatitet edhe më thjeshtë. Nëse nuk e kishit provuar ndonjëherë më parë, ne ju tregojmë si ta gatuani!
Koha e përgatitjes – 30 minuta:
Përbërësit për 4 persona:
400 g oriz Carnaroli
300 g salcë domatesh, së cilës i kemi shtuar 1 lugë sheqer për t’i hequr aciditetin
200 g domatina
1 litër lëng perimesh i vluar
3 lugë vaj ulliri
1 qepë
50 g djathë Parmesan i grirë ose djathë tjetër kaçkavall me cilësi
50 g gjalpë i ftohtë nga frigoriferi i prerë në kubikë
borzilok i freskët
Përgatitja:
Në një tenxhere, skuqim qepën me vajin e ullirit dhe kur kjo të jetë bërë transparente, shtojmë orizin, të cilin e skuqim për 2 minuta duke e përzier vazhdimisht me lugë druri.
Shtojmë një garuzhdë me lëng të vluar dhe kur ky të shterrojë, shtojmë salcën e domates dhe një garuzhdë tjetër lëng. E përziejmë dhe e lëmë të ziejë duke shtuar lëng të valuar sipas nevojës.
2 minuta para se të zihet orizi, hedhim domatet e prera në mes, borzilokun e copëtuar me dorë, dhe i shtojmë kripë.
Pasi orizi të jetë zier, e heqim nga zjarri, shtojmë gjalpin e ftohtë nga frigoriferi të prerë në kubikë të vegjël, djathin dhe i përziejmë me lugë druri.
E shërbejmë me gjethe borziloku.