Reçaku: krim kundër njerëzimit, masakër apo çështje interpretimi?

Periskopi.com Lajme

Një fshat krejtësisht i panjohur, zhvillimet tragjike në të cilin tronditën botën dhe vunë në lëvizje politikën ndërkombëtare. Një fshat që paraqiti një pikë kthese si për zhvillimet në Kosovë ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Pikërisht 20 vjet më parë, më 15 janar 1999, imazhet e vrasjes makabre të 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak nga ana e forcave policore dhe ushtarake serbe shokuan botën, shkruan sot Koha Ditore.

Bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash ajo perëndimore, e dënoi në mënyrën më të ashpër të mundshme këtë akt çnjerëzor. Rrjedhimisht Reçaku ndikoi në forcimin e unitetit brendapërbrenda shteteve evropiane dhe domosdo në eliminimin e hezitimeve të mundshme ndërmjet tyre.

Për Perëndimin, ky krim nuk duhej lejuar të mbetej vetëm një fusnotë e zhvillimeve të paparashikuara në Kosovë, pasi që për ta ishte e qartë, se ky akt nënkuptonte vetëm vazhdim të politikës (serbe) me mjete të njëjta sikurse në Bosnjë. William Walker, kreu i vëzhguesve të OSBE-së në Kosovë, i cili në mëngjesin e datës 16 janar në kodrën e fshatit i pa nga afër trupat e shqiptarëve të vrarë, foli për një “mizori të papërshkrueshme” duke e cilësuar si një “krim kundër njerëzimit”. Zëvendësi i tij, gjermani Bernd Borchardt, kishte shprehur pa hezitim pikëpamjen e tij pas zbulimit të masakrës, se ajo ishte “një ekzekutim klasik”.

Shpërndaje në: