Real Madridi, kampion i botës për klube
Real Madridi është shpallur kampion i botës për klube.
Në një finale që prodhoi jashtëzakonisht shumë gola, “Los Blancos” triumfuan ndaj ekipit nga Arabia Saudite, Al-Hilal me rezultat 5:3, shkruan Gazeta Express.
Llogarinë e golave për vendasit e hapi Vinicius Junior në minutën e 13-të të ndeshjes, pas asistimit nga Benzema.
Federico Valverde shënoi për ta dyfishuar epërsinë pesë minuta më vonë.
Al-Hilal tregoi shenja jete, duke ngushtuar epërsinë në minutën e 26-të nëpërmjet Maregas.
Me rezultatin 2:1 u mbyll edhe pjesa e parë e finales.
Benzema ktheu epërsinë e dy golave për madrilenët në minutën e 54-të, para se Valverde të shënonte katër minuta më pas për 4:1.
Al-Hilal shënoi një tjetër gola për 4:2, kur Vietto realizoi në minutën e 63-të.
Vinicius Junior shënoi golin e pestë për Real Madridin dhe të dytin personal në minutën e 69-të të takimit.
Al-Hilal nuk u dorëzua dhe vazhdoi të luftonte duke e ngushtuar në 5:3 rezultatin kur Vietto realizoi në minutën e 79-të.
Por, më pas ndeshja nuk prodhoi gola dhe Real Madridi e fitoi titullin e parë këtë vit.