Reagon Nikçi i Inspektoratit të Punës: U nxorr nga konteksti qëllimi i komunikimit tim me Nexhat Fazliun
Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi ka reaguar pas raportimeve të Albanian Post, se ka qortuar Shefin e Inspektoratit të Punës në Rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliun, pasi ky i fundit kishte bashkëpunuar me prokurorinë dhe policinë e krimeve ekonomike për të gjurmuar linjat kriminale të kompanisë së Milan Radojiçiç-it RAD d.o.o.
“Në e-mailat që ekskluzivisht i ka siguruar Albanian Post, kuptohet se si Nikçi fillimisht kishte kërkuar llogari se përse institucioni bashkëpunoi me policët hetues dhe më pas kishte kërcënuar Shefin e Inspektoratit të Punës ne rajon të Mitrovicës se do t’i jap nota të dobëta në vlerësimet për vitin 2024 (vlerësime që mund të çojnë deri në largimin nga vendi i punës)”, thuhet në shkrimin e portalit.
Nikçi ka reaguar duke thënë se portali ka provuar të dezinformojë opinion e gjërë dhe linçojë atë në cilësinë e Kryeinspektorit si dhe IQP-në, duke nxjerrur nga konteksti qëllimin e vërtetë të komunikimit të tij zyrtar me vartësin e tij. Madje sipas tij, Albanian Post nuk e kishte publikuar e-mailin e plotë.