Reagon FFK rreth pretendimeve për tentim kurdisjen e një ndeshje në futbollin e vajzave

Reagon FFK rreth pretendimeve për tentim kurdisjen e një ndeshje në futbollin e vajzave

Federata e Futbollit e Kosovës së fundi është njoftuar nga mediat rreth pretendimeve për tentim kurdisjen e një ndeshje të mëhershme në futbollin e femrave, ndërmjet dy ekipeve KFF Mitrovica dhe KFF EP Hajvalia.

Përkundër faktit që asnjëherë zyrtarisht nuk kemi marrë asnjë njoftim apo ankesë lidhur me këtë çështje nga ndonjë klub, menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve nga mediat, ne kemi filluar me mbledhjen e të gjitha dëshmive rreth pretendimeve të këtij rasti.

Tashmë çështja është adresuar te organet dhe Komisionet përkatëse brenda Federatës, të cilat janë duke mbledhur informacionet dhe dokumentacionet e nevojshme lidhur me këtë rast, e të cilat do të shqyrtohen me përpikëri.

Gjithashtu, këtë rast e kemi adresuar edhe tek Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive për të proceduar më tutje.

FFK siguron që pretendimet dhe dyshimet që lidhen me këtë rast do të trajtohem me seriozitetin më të madh nga organet tona në aspektin disiplinor, ndërsa në aspektet e tjera do të merren organet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Federata e Futbollit të Kosovës do të vazhdojë të marrë masa të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe integritetin e futbollit.

FFK mbetet e përkushtuar për të promovuar vlerat e ndershme dhe respektimin e garës “fair-play” në futboll dhe do t’i luftojë me të gjithë mekanizmat e saj veprimet e tilla që rrezikojnë integritetin e lojës së futbollit dhe imazhin e Kosovës.

Shpërndaje në: