“Reagimi i shpejtë” – Njësi të KFOR-it i bashkohen EUFOR-it për stërvitje në Bosnjë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të marrë pjesë në disa stërvitje të EUFOR-it (Forcat e BE-së në BeH) në Bosnjë e Hercegovinë.
Njësi të KFOR-it do të marrin pjesë nga 25 gushti deri më 13 shtator 2024 në stërvitjet “Reagimi i Shpejtë 2024”.
EUFOR ka njoftuar për këto stërvitje dy ditë më parë ku lajmëroi qytetarët se mund të rëndohet trafiku për shkak të këtyre stërvitjeve.
“Më 24 dhe 26 gusht 2024, qytetarët mund të shohin aktivitet të shtuar të lëvizjes së automjeteve të EUFOR-it në rrugët ndërmjet pikave kufitare Klobuk, Metaljka dhe Svilaj dhe Çapljina dhe Kampi Butmir, Sarajevë. Këto lëvizje janë në lidhje me ardhjen e forcave rezervë të EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi trupat e EUFOR-it do të shtohen përkohësisht nga këto forca rezervë nga Austria, Hungaria, Rumania dhe nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë (KFOR) për stërvitjen Reagimi i Shpejtë, aktiviteti vjetor i trajnimit në shkallë të gjerë i EUFOR-it i mbajtur midis 24 gushtit dhe 16 shtatorit 2024. Kolonat do të përfshijnë automjete të lehta dhe të blinduara dhe do të mbështeten nga policia lokale dhe do të shoqërohen nga policia ushtarake ndërkombëtare. EUFOR është një partner i fortë, i aftë dhe i besueshëm për autoritetet e BiH dhe mbetet i përkushtuar për t’i mbështetur ato në ruajtjen e një mjedisi të sigurt”, ka thënë EUFOR.
Ndërkaq, KFOR ka thënë se se stërvitja është “një demonstrim publik i bashkëpunimit midis NATO-s dhe BE-së në mbështetje të stabilitetit rajonal”.
Pjesëtarët e KFOR-it do t’i bashkohen stërvitjes me transport tokësor.