Reagimi i BE-së për zgjedhjet, Kallas dhe Kos: Presim konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë
![Reagimi i BE-së për zgjedhjet, Kallas dhe Kos: Presim konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/62e9f99d-9df4-4519-945e-cc7c43d583ed-600x360-1-500x300.jpg)
Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë më 9 shkurt 2025.
Në deklaratë thuhet se populli i Kosovës ushtroi të drejtën e tij demokratike duke votuar në zgjedhjet e rregullta parlamentare, gjersa rikujtojnë se Bashkimi Evropian ka vendosur një Mision Vëzhgues Zgjedhor (MVZ) i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore si dhe për të nxjerrë rekomandime.
“Sipas konstatimeve preliminare, zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, ndërsa është zbatuar ligji i ri zgjedhor. Fushata ishte e ‘gjallë’. Procesi i përgjithshëm tregoi qëndrueshmëri dhe angazhim ndaj parimeve demokratike”, thuhet në deklaratë, raporton Telegrafi.
Tutje në deklaratë thuhet se BE pret me padurim formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re për të vazhduar angazhimin me synimin për të mbështetur Kosovën për t’iu afruar BE-së dhe për të përfituar plotësisht nga mundësitë e rëndësishme si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.