Ratko Mlladiq do të vdes në burg. Por, shkoni në Bosnjë dhe do të shihni se ai në fakt ka fituar

Ratko Mlladiq do të vdes në burg. Por, shkoni në Bosnjë dhe do të shihni se ai në fakt ka fituar

Gjenerali Ratko Mlladiq, ushtaraku më gjakatar që nga Rajhu i Tretë, do të vdes në burg. Çdo verdikt tjetër nga ai që u mor në Hagë, do të ishte tepër absurd.

Nënat e më shumë se 8 mijë burrave e djemve të vrarë në Srebrenicë brenda pesë ditësh në verën e vitit 1995, kanë çdo arsye për të mirëpritur dënimin me burg të përjetshëm dhe për gjenocid që iu dha atij: i vetmi standard juridik me të cilin mund të matej ai krim.

Unë kam dëshmuar kundër Mlladiqit, ashtu siç kam dëshmuar edhe kundër Radovan Karadziqit dhe shtatë të tjerëve në Hagë: më së shumti për të dhënë evidencë për rrjetin e kampeve të përqendrimit të cilin e kisha zbuluar për këtë gazetë në vitin 1992, për vrasjet në masë, për ‘pastrimin’ etnik, dhunimet dhe shkatërrimet që ndodhën në ato vite të përgjakshme.

Sot unë e kaloj kohën duke i telefonuar të mbijetuarit. Veç atyre që e vuajtën në lëkurën e tyre Srebrenicën, askush tjetër nuk e ndau gëzimin për dënimin e Mlladiqit.

Ai u përball me dy akuza për gjenocid: i pari për Srebrenicën, dhe tjetri për atë që ndodhi në komuna tjera në Bosnjë. Këtu, një seri mizorish të ndryshme ishin bërë nga trupat e Mlladiqit me komandën direkte të tij në ato vite, ndërsa komuniteti ndërkombëtar veç rrinte e këqyrte, nëse nuk bënte diçka edhe më të keqe. E gjithë ideja e Tribunalit të Hagës ishte si një akt pendimi për atë dështim se që ishte si ambicje për vënjen e një drejtësie të njëmendtë ndërkombëtare. Pogromet e Mlladiqit përfshijnë vrasje në masë, tortura, gjymtime dhe dhunime, në kampet e Omarskës, Trnopoljes dhe Keretemit në verilindje të Bosnjës. Në lindje, në Vishegrad, civilët – përfshirë edhe foshnjet – ishin futur të gjalla në shtëpi për t’u djegur, ose ishin vendosur poshtë ndonjë ure për t’u gjuajtur, ose ishin copëtuar, ose ishin hedhur në lumin Drina. Më pas, ka pasur edhe demolime të panumërta të fshatrave dhe lagjeve, dhe ‘pastrime’ të të gjithë jo-serbëve, me vdekje e me deportim; shkatërrimi i xhamive dhe kishave katolike; mbledhja e grave dhe vajzave në kampe për dhunim gjithë natën, çdo natë. Dhe të tjera.

Asnjë nga këto, nuk është cilësuar si gjenocid. Mlladiq është liruar nga këto akuza. Por, natyrshëm ngrihet pyetja: atëherë për çka u dënua?

Mes atyre që e dëgjuan verdiktin në Hagë, ishte edhe Kelima Dautoviq, e cila mbijetoi nga kampi i Trnopoljes, ndërsa burri i saj ishte në Omarska, dhe i humbi shumë nga pjesëtarët e familjes së saj dhe të fqinjëve. “Është aq zhgënjyese, e megjithatë nuk çuditem,” tha ajo. “Ndoshta nuk deshën që ta quanin gjenocid sepse ndodhi në sytë e komunitetit ndërkombëtar që ishte aty, për të na mbrojtur neve. Megjithatë, unë shpresoj që historianët të bëjnë punë më të mirë se gjyqtarët.”

Mes farsave më të këqija e më irrituese të tribunalit ishte burgosja në vitin 2015 e njërës prej zyrtareve më me përvojë Florence Hartmann, për mbulimin gazetaresk të Srebrenicës, e cila e mori një material të papublikuar nga gjyqi. Hartmann, që nga qelia e saj mund të shihte Mlladiqin duke i bërë ushtrimet e tij ditore, thotë sot që “asnjë gjenocid në histori nuk ndodh në pesë ditë vere. Gjenocidi është proces.”

Ajo shton që ndryshe nga verdiktet e tjera, roli i Serbisë është harruar krejtësisht: “Verdikti e ka zhveshur gjenocidin nga ideologjia, nga konteksti historik dhe ndërkombëtar.”

Është një vërejtje e mirë. Human Rights Watch ka festuar faktin që verdikti “kishte dërguar mesazh te ata në pushtet anë-e-mbanë botës që kryejnë mizori brutale, në Burma, Kore Veriore apo Siri”, ndërkohë që përgatitjet kanë filluar për ndjekjet e krimeve të luftës në Siri.

Por kush do të sillet para drejtësisë? Mlladiq ishte një ushtarak, dhe më mirë në burg se i lirë. Por, ndërsa kryepeshkopi Desmond Tutu ka pyetur me plot të drejtë: ku ishte Tony Blair kur duhej të vihej drejtësia në vend për shkatërrimet e bëra në Irak? A do të zhvishet drejtësia edhe për rastin e Assadit e Putinit, dhe nga kushdo që e ka mbështetur Shtetin Islamik [ISIS] dhe nga çdokush që e ka bombarduar Jemenin?

Tribunali i Hagës u bë edhe me arsyen që të promovonte pajtimin e popujve në ballkan. Mlladiq mori atë që deshi: një minishtet serb në Bosnjë nga i cili çdo josërb u dëbua që në vitin 1995. Ai është i adhuruar, portreti i tij vihet në mure baresh dhe zyresh në Bosnje e Serbi, dhe emri i thirret në ndeshje futbolli.

Edhe shefi i prokurorëve në Hagë, Serge Brammertz, pranoi se “konflikti dhe mizoritë mund të marrin një logjikë të tyre”; jeta në Bosnjë është më sektare e fanatike sot se asnjëherë tjetër që nga lufta, me të gjitha palët të rreshtuara në zonat e tyre të komfortit në një urrejtje të përbashkët – e cila është, incidentalisht, ofruese e përfitimeve të mëdha për klasën politike përkatëse që i udhëheq. Mlladiq padyshim që është një njeri i zemëruar, por ai mund ta nisë dënimin e tij me një gëzim që misioni i tij është realizuar.

Përktheu nga Guardian, Periskopi

Shpërndaje në: