Me rastin e Ditës Botërore të Poezisë
Por, sumerët i kushtuan rëndësi shprehjes artistike, që kur u shpik shkrimi para 5000 vjetësh në Mesopotami. Gjuhë të figurshme hasim, jo vetëm te Gilgameshi i asiro-babilonasve, por edhe te Epi i Kadeshit i egjiptianëve të lashtë. Vlera poetike në lashtësi krijuan edhe kretasit, hititët, hebrenjtë, kinezët. Dashuri dhe pikëllime hasim te Mahabharata e indianëve.
Që nga koha homerike e këndej, poezia e mirëfilltë ka pasur një qëllim të vetëm – t’i këndojë të bukurës. Aedët parahomerikë, edhe kur u thurnin vargje heronjve të Trojës, në qendër kishin të bukurën. Po kështu edhe homeridët e ishullit Hios. Himne bukurie krijuan sidomos lirikët e lashtë grekë – Arkiloku, Alkeu, Pindari dhe poetesha e dashurisë, Safo, të cilën dishepull i Sokratit (470-399 p.e.r.) dhe mësues i Aristotelit – Platoni (rreth 429 – rreth 347 p.e.r.), e quajti muza e dhjetë. Shtigjet e tyre poetike i ndoqën edhe poetët aleksandrinë. Në himne, ode, ditirambe, epitafe, epigrame, idile, elegji letrarët e antikitetit shprehën ëndrrën e njeriut për drejtësi, luftën kundër tiranisë së hyjnive të Olimpit, luftën kundër padrejtësive. Ata thurnin vargje vetëm kur kishin pranë muzat – Polihimninë, Eratën apo Euterpën.
Qysh në lashtësi krijimet letrare do të studiohen edhe nga pikëpamja letrare teorike. Studimet pararendëse në këtë lëmë, filozofi dhe dijetari grek Aristoteli (384-322 p.e.r.) i përmblodh në Poetikën e tij, duke i vënë kështu themelet e shkencës mbi letërsinë. E ndoqi poeti romak (mik i Virgjilit) – Horaci (Quintus Horatius Flaccus, 65 – 8 p.e.r.), i cili për natyrën e poezisë do të flasë te Letra Pizonëve. Në këtë varg studimesh poetike në shekullin XVII, bën pjesë edhe poeti, kritiku dhe teoricieni kryesor i klasicizmit francez Nikolla Bualo (Nicolas Boileau-Despréaux, 1636-1711) me Artin poetik të tij.
Që në Romën e lashtë, stili lirik shquhej me bukurinë e formës, me shprehjen e lëmuar. Që atëherë hasim hermetizëm konstant. Poeti adhuronte jetën, kënaqej me bukuritë e saj, synonte që entuziazmin e vet ta bënte të përjetshëm. Adhuronte atdheun, të vërtetën, traditën, natyrën, lulet, por edhe vetminë. Që atëherë Horaci luftoi kundër gënjeshtrave dhe josinqeritetit. Te brezi i ri shihte ardhmërinë dhe shpresën. U këndoi motiveve të përhershme, përkohshmërisë, dashurisë, të sotmes së vet dhe jo njëfarë të nesërmeje. Që në lashtësi u krijuan vargje që janë himn për poezinë. Poetët dëshmuan se poezia është përmendore që do të jetojë deri në pafundësi. I krijuan himn jetës, dashurisë, bukurive të peizazheve.
Poetët ndikoheshin nga njëri-tjetri. E kush nuk ndikohej nga lirizmi i Pindarit. Pushkini ndikohej nga bajronizmi, njashtu sikundër lirikët evropianë krijonin nën ndikimin e lirikëve latinë.
Midis poezisë dhe muzikës kishte relacione të ngushta. Poetët ngazëlleheshin edhe nga muzika. Poeti francez, pararendës dhe themelues i modernizmit – Sharl Bodleri (Charles Pierre Baudelaire, 1821-1867) entuziazmohej nga muzika e kompozitorit gjerman Riçard Vagner (Wilhelm Richard Wagner, 1813-1883). Nëpërmjet cante jondo poeti dhe dramaturgu spanjoll Lorka (Federico del Sagrado Corazón de Jesús García Lorca, 1898-1936) i gjeti metaforat e veta, simbolet dhe ritmet. Por, ishte edhe piktor, ngase poezia është në lidhje të ngushta edhe me pikturën. Por, edhe kompozitorët, me interpretimet e veta e kanë shprehur thellësinë e odeve të poetëve të mëdhenj.
Në kohë të caktuara, krijimet poetike kanë ngritur edhe pluhur. Lulet bodleriane trazuan parisienët. Ka poetë që për artin e fjalës, u censuruan, u ndaluan, u burgosën, humbën pa gjurmë, u ekzekutuan. Të vlerësuar me kritere jashtëletrare, poetët akuzoheshin për fyerje të moralit publik. Tiranët ndërkaq, kërkonin që arti poetik të vihet në shërbim të tiranisë. Por kjo s’ndodhi kurrë. Poeti, dramaturgu, prozatori dhe kritiku francez i artit Teofil Gotje (Pierre Jules Théophile Gautier, 1811-1872), larpurlartistët dhe parnasistët u shprehën prerë se arti nuk është ideologji, as filozofi dhe as religjion. Nuk është në shërbim të politikës apo të asaj që e quajnë ide e madhe. Arti i fjalës është sferë specifike që i ka mjetet shprehëse specifike. Është autonom dhe i mjafton vetes. Dhe thanë: Asgjë s’është më e bukur se ajo që nuk ekziston. Poeti dhe teoricieni francez i letërsisë Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898) dhe poetët e nëmur (poètes maudits) do të krijonin poezi të kulluar (poèsie pure). Për t’iu shmangur banales, meskines, provincializmit dhe mediokritetit poetit i duhej të mbyllej në kullë të fildishtë, të krijonte edhe vargje hermetike. Por, hermetizmi njihej edhe nga lirikët e Romës së lashtë. Artisti nuk e pranon mesataren, nuk duron kompromis, nuk lidh pakt me djallin, me demonët. Asgjë në poezi nuk është relative. Ajo nuk njeh gradacion, është në maje të Olimpit. Krijimi artistik mund të vlerësohet vetëm me kritere estetike dhe jo me parime zhdanoviste. Shumë artistë të mëdhenj qenë të papranuar, të pakuptuar nga mjedisi, të privuar nga afirmimi shoqëror. Autori i Albatrosit, i cili nga lulja e fishkur krijonte të bukurën artistike, ishte i huaj edhe për të ëmën. Tiranët deshën që t’i shihnin të thyer, të përfundojnë si desperaterë.
Ndër simbolistët francezë lind një drithërimë e re poetike dhe një trazirë e re shpirtërore, një gjallëri dhe forcë e figurave poetike dhe një mbretëri e pavdekshme e shpirtit.
Poezia është protestë edhe atëherë kur poeti i ka pranë, perëndeshat e bukurisë dhe të dashurisë – Afërditën dhe Venerën. Shkrimtari, poeti dhe kritiku letrar amerikan, pararendës i simoblizmit – Edgar Allan Poe (Edgar Allan Poe, 1809-1849) shfaqte revoltë edhe në Anabel Lee dhe vdiq nga delirium trimens. Poeti italian Dante (Durante degli Alighieri, 1265-1321) shprehte revoltë edhe në tingëllimat kushtuar Biçes, siç e quante poeti Beatriçen e ëmbël. U dënua me vdekje, përfundoi larg vatrës. Poeti italian Petrarka (Francesco Petrarca, 1304-1374) ishte i urryer nga kleri edhe kur i këndonte Laurës. Dramaturgu anglez, i përkthyer në të gjitha gjuhët e botës Shekspiri (William Shakespeare, 1564-1616) tha: Vdekjen do t’ua sjelli në skenë. Katër shekuj pas tij, poezia e poetit kilian Nerudës (1904-1973), laureat i Çmimit Nobel për letërsi (1971) i trazoi shpirtrat e despotëve.
Pas së bukurës dhe së vërtetës në art rendi edhe poeti, dramaturgu dhe filozofi indian Tagore (Rabindranath Tagore, 1861-1941), i pari joevropian që e merr Çmimin Nobel për letërsi (1913). Format e tij të metrit, të rimës, të vargut, të strofës në Epin e flijimit (Gitanxhali) i çmonte lartë prozatori, poeti dhe kritiku amerikan Ezra Paund (Ezra Weston Loomis Pound, 1885-1972), një prej themeluesve të lëvizjes letrare të imazhizmit. Pas lirisë rendi edhe poeti, dramaturgu dhe prozatori rus Pushkini (Alexander Sergeyevich Pushkin, 1799-1837) por rrallë kush si figura kryesore e romantizmit anglez dhe evropian – poeti Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, 1788-1824) e ndjeu dhimbjen e mallit për vendlindjen. Poeti që krijoi figurën e Tatjanës, u tha krijuesve: Poetë, qëndroni përmbi rrëmujën e jetës ekskluzive mondane!
Andaluziani Lorka, për poezinë u shpreh: E kam zjarrin në duar, e ndjej. Do ta digjja Partenonin natën, që në mëngjesin e së nesërmes të fillojë ta rindërtojë sërish dhe kurrë të mos e përfundoj.
Poeti, kritiku dhe dramaturgu anglo-amerikan, i shkolluar në Harvard, në Sorbonë dhe në Oksford, laureat i Çmimit Nobel për letërsi (1948) Tomas Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965) krahas poetit, dramaturgut dhe personalitetit më të rëndësishëm të rilindjes kombëtare irlandeze, laureatit të Çmimit Nobel për letërsi (1923) – Jitsit (William Butler Yeats, 1865-1939) – konsiderohet poet anglez më i madh dhe më me ndikim i shekullit XX. Shumë kritikë thonë se Elliët është themelues dhe arritja më e lartë e një tipi të veçantë të poezisë moderne evropiane – poezisë intelektualiste, të ftohtë, racionale, që mbështetet në klasicizëm dhe që paraqet rilindjen e tij. Për të treguar se ç’është poezi dhe çka nuk është poezi, në vitin 1909 botoi esenë Tradita dhe talenti individual (Tradition and the Individual Talent). U quajt ese e shekullit.
Para katër shekujve, shkrimtari arbëresh i Sicilisë Lekë Matrënga (1567-1619) e shkroi të parën poezi në gjuhën shqipe, me tetë vargje – Këngë e përshpirtshme (Canzona spirituale). Sikur ua çeli rrugën vargjeve të De Radës (1814-1903), mbi drithërimat e Rinës dhe të Milosaut, paralajmëroi epitetet dhe apostrofat naimiane mbi botën shqiptare, hapi shtigjet për malin që s’bëzan dhe për netët pa gjumë të Migjenit (1911-1938). Ushtoi melodia bodleriane e lirikut tragjik – Lasgushit (1899-1987):
Fluturoi dhe shtërg i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Duke shkuar që me natë sipër malesh me dëborë…
Poetët kanë shpirt prometean, zbresin në paradhomën e ferrit dhe sërish ngjiten në yje. Për mision kanë zhbërjen e territ, të ferrit, të tmerrit. Metaforat e vargut të tyre ngërthejnë në vete zjarrin hyjnor, këtë dritë të amshueshme të njerëzimit.