Rasti i parë i lisë së majmunëve regjistrohet në Evropë, ekspertët: Mund të përhapet shpejt
Zyrtarët globalë të shëndetësisë konfirmuan mbrëmë infeksionin e parë me virusin e ri mpox (lija e majmunëve) në Suedi, duke e lidhur atë me një numër në rritje të rasteve në Afrikë.
Kjo është shenja e parë e përhapjes së virusit jashtë kontinentit afrikan, një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli sëmundjen një kërcënim global për shëndetin publik.
Doktori Brian Ferguson nga Universiteti i Kembrixhit shprehu shqetësimin me rastin e udhëtarit suedez, por theksoi se nuk ishte befasuese duke pasur parasysh ashpërsinë dhe përhapjen e epidemisë në Afrikë.
“Më shumë raste ka të ngjarë të shfaqen këtu dhe në pjesë të tjera të botës, pasi aktualisht nuk ka mekanizma për të parandaluar importimin e rasteve mpox”, shtoi Ferguson, transmeton Telegrafi.
OBSH-ja deklaroi se ky është një Kërcënim i Shëndetit Publik me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC) pasi rastet në Republikën Demokratike të Kongos u përhapën në vendet fqinje. PHEIC është niveli më i lartë paralajmërues i OBSH-së.
Që nga fillimi i shpërthimit në janar të vitit 2023, Kongo ka regjistruar 27 mijë raste dhe më shumë se 1100 vdekje, kryesisht në mesin e fëmijëve.
Zyrtarët nga SHBA dhe Kanada thanë se nuk kanë identifikuar asnjë rast deri më tani.
“Ky është rasti i parë i Clade 1 mpox i raportuar jashtë kontinentit afrikan”, tha David Daigle, zëdhënës i CDC, duke vënë në dukje se agjencia po monitoron nga afër shpërthimin.
CDC kohët e fundit lëshoi një Përditësim të Rrjetit të Paralajmërimeve Shëndetësore dhe një njoftim të përditësuar të Udhëtimit Shëndetësor për të informuar mjekët, udhëtarët dhe partnerët e shëndetit publik në SHBA për përhapjen e Clade 1 mpox në vendet që historikisht nuk kanë raportuar raste të sëmundjes.
Sipas zyrtarëve të shëndetësisë amerikane, Clade1 mpox tenton të shkaktojë infeksione më të rënda dhe ka një shkallë më të lartë të vdekjes sesa Clade 2.
Në vitin 2022, OBSH shpalli një kërcënim për shëndetin publik për shkak të një shpërthimi të mpox të shkaktuar nga Clade 2, i cili rezultoi në më shumë se 95 mijë raste në 115 vende jo-endemike. /Telegrafi/