Rasti “Capat”-Sekiraqët: Gjykata cakton paraburgim për personin që dyshohet se manipuloi me provat
Gjykata Themelore e Prishtinës, ia caktuar 30 ditë paraburgim V.B, i cili dyshohet se ka manipuluar me provat në rastin “Capat”-Sekiraqët.
Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate.
“Seanca është mbajtur. Vendimi është marrë, është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë për dy vepra penale, “Manipulim me prova” dhe Mbajtje, posedimi i paaautorizuar i armëve”. tha ajo për Klankosovën.
Tutje, në vendimin për caktimin e masës thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.09.2024 në Prishtinë, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri V.B merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit S.S dhe tjetra dyshohet të jetë e të pandehurit F.A, me ç ‘rast shkon në terasën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal, ku vërehet se në duar nuk ka më asgjë, e më këto veprime i pandehuri”.
“V.B në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Manipulim me prova, po ashtu me të njëjtën datë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale, me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor”, thuhet në vendim.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 1 shtatorit në rrugën “Gazmend Zajmi” në kryeqytet.
Si pasojë e shkrepjes së armëve, një person mbeti i vdekur derisa pesë të tjerë u plagosën.