Rashiq: Votuesit tonë janë real, jo me shantazhe e kërcënime

Edhe pse ende nuk janë numëruar të gjitha votat, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, pretendon se partia e tij është e sigurt se do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Në një prononcim për “Radio Kim”, ai tha se partia e tij do të përfaqësohet “me të paktën një deputet”.
“Sipas rezultateve aktuale, edhe pse nuk janë numëruar votat e kushtëzuara dhe të diasporës, sipas mendimit tonë, ka vend të mjaftueshëm për të besuar se me siguri do të hyjmë”, tha ai.
Ai tha se “pesha” e votave të partisë së tij është shumë më e madhe se atyre “që u detyruan të votonin” për partitë e tjera serbe.
“Ne punojmë shumë me përkushtim. Dua të them se votuesit dhe zërat tanë janë realë, kanë shpirt e zemër. Jo me detyrim, kërcënim, shantazh apo injorancë, por votat tona janë nga njerëz që kuptojnë dhe dinë se çfarë dhe për kë votojnë. Këtë mund ta shihni edhe në votat për kandidatët. Secili kishte një mesazh, qoftë për mua, qoftë për kandidatët e mi në listë. Mund të them lirisht se pesha e votave tona është pakrahasueshme më e madhe”, tha ai.