Raportohet se është vrarë kritiku i ashpër i islamit që dogji Kuranin në një sërë protestash
Salwan Momika, njeriu që dogji një kopje të Kuranit në vitin 2023, duke shkaktuar protesta të dhunshme në disa vende islamike, raportohet se ka vdekur.
Një gjykatë e Stokholmit do të vendoste të enjten nëse Salwan Momika, një irakian i krishterë që dogji Kuranin në një mori protestash, ishte fajtor për nxitje të urrejtjes etnike.
Vendimi u shty deri më 3 shkurt, siç u tha “për shkak se Salwan Momika ka vdekur, nevojitet më shumë kohë”.
Policia tha në një deklaratë se ata ishin njoftuar për të shtëna në qytetin e Sodertalje, ku jetonte Momika.
Të shtënat ndodhën në ambiente të mbyllura dhe kur policia mbërriti gjeti një burrë i cili ishte “goditur nga të shtënat dhe i njëjti u dërgua në spital”, thuhet në deklaratë.
Në një përditësim të mëvonshëm, policia tha se burri kishte vdekur dhe një hetim për vrasje ishte hapur.
Disa media e identifikuan të ndjerin si Momika dhe raportuan se të shtënat mund të jenë transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale.
Në gusht, Momika, së bashku me bashkëprotestuesin Salwan Najem, u akuzuan për “agjitacion kundër një grupi etnik” në katër raste në verën e vitit 2023.
Sipas akatakuzës, dyshja përdhosën Kuranin, duke përfshirë djegien e tij, ndërsa bënë komente nënçmuese për myslimanët — në një rast jashtë një xhamie në Stokholm.