Raportohet për shumë të vrarë në Gaza nga sulmet ajrore izraelite natën

Raportohet për shumë të vrarë në Gaza nga sulmet ajrore izraelite natën

Zyrtarë të spitaleve në pjesën veriore të Gazës thonë se shumë njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës së mbrëmshme.

Ekipet e shpëtimit në Gaza thonë se operacionet u nisën herët në mëngjes, pasi Izraeli bombardoi të paktën pesë ndërtesa në Beit Lahia dhe në Qytetin Gaza, raporton televizioni BBC.

Mediat e lidhura me Hamasin thonë se dhjetëra njerëz u vranë dhe shumë të tjerë ende ndodhen nën rrënoja – përfshirë gra e fëmijë.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite, por ajo rishtazi i ka shtuar sulmet në pjesën veriore të Gazës, duke thënë se po e parandalon rigrupimin e Hamasit.

Disa pjesë të Gazës veriore janë nën rrethimin e forcave izraelite dhe pothuajse asnjë ndihmë humanitare nuk është shpërndarë në 40 ditët e fundit, paralajmëroi më herët OKB-ja.

Mjekët në Gaza thonë se po kanë vështirësi për t’i trajtuar të lënduarit, ndërsa agjencitë e ndihmave thonë se ato nuk mund të dërgojnë furnizime elementare në atë zonë.

Më herët këtë javë, të paktën 34 njerëz u vranë nga një sulm ajror izraelit ndaj një blloku banesor 5-katësh në Beit Lahia, sipas një agjencie lokale të mbrojtjes civile.

Shpërndaje në: