Raportet e “ftohura” Kurti – Rama u panë edhe në seancën e përbashkët, opozita e bën fajtor Kurti
Raportet e jo të mira në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, janë dëshmuar edhe sot.
Këto raporte i dhanë një ngjyrim jo të mirë edhe seancës së përbashkët të dy kuvendeve. Në këtë seancë, nuk munguan kritikat e Ramës për Qeverinë e Kurti rreth disa çështjeve.
Përfaqësuesi e opozitës në Kosovë kanë bërë me dije se raportet në mes të dy vendeve janë në piken më të ulët.
Fajtor për këtë ata e kanë bërë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka bërë me dije se raportet në mes të dy vendeve janë në piken më të ulet.
“Kur ishte në opozitë, Albin Kurti shtirej si nacionalist dhe propagandonte idenë e BASHKIMIT KOMBËTAR. Tani që është në pushtet, raportet dhe bashkëpunimi me Shqipërinë zyrtare kanë arritur pikën më të ulët”, ka shkruar Selmanaj në profilin e tij në Facebook”.
Sipas tij, kjo gjë është vërejtur edhe në seancën e sotme.
“Fatkeqësisht, këtë e dëshmoi edhe seanca e sotme e përbashkët mes dy parlamenteve tona. Në vend që të ishte një moment festiv dhe vëllazëror, seanca nisi dhe përfundoi në një atmosferë të tensionuar dhe të papërshtatshme. Kjo është dhurata e populistëve dhe pseudo-nacionalistëve. Albin Kurti nuk kërkon bashkim me Shqipërinë – ai synon pushtet personal, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri”, ka shkrua ai.
Për raportet e ulëta në mes të dy vendeve kryeministri Kurti është kritikuar edhe nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit, në adresimin e tij para deputetëve të të dy vendeve, ka thënë se Kurti është përçarës.
“Dora e tij përparëse ka depërtuar edhe të bashkëkombësit tanë në Maqedoni dhe Preshevë, bile e bëri edhe një përpjeke në Shqipëri, por ju nuk e latë. Për të qenë i sinqertë dhe i hapur me ju, pra kryeministër Rama dhe kryetare Spiropali, marrëdhëniet me Shqipërinë në këto katër vjet gati sa nuk e kanë prekur fundin dhe secili në këtë sallë e di shkakun. Pra, pse janë kështu”, ka thënë Haradinaj.
Duke u nisur nga raportet e të dy kryeministrave, në seancën e sotme janë dëgjuar edhe mesazhe unifikuese.
Njëra nder ta ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në adresimin e saj, Osmani ka kërkuar bashkëpunim më të thellë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo ka thënë se kjo seancë duhet të shërbej si thirrje për veprim.
“Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbej si një thirrje për veprim. Një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të madhe dhe përpjekje më të palodhshme Ne po jetojmë në një kohë të trazuar, e cila tregon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lartë Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi, nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar harmoninë e domosdoshme”, ka thënë Osmani.
Megjithatë, pas përfundimit të mbledhjes mes dy kuvendeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Sipas njoftimit të qeverisë, në takim është nënshkruar marrëveshje për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.