Raport tronditës nga Euro 2020: Para finales, dy mijë tifozë të dehur e droguar, mund të shkaktonin vdekje
Një raport konfidencial mbi dhunën e shkaktuar nga tifozët anglezë në finalen e Euro 2020 në Londër po vë në siklet qeverinë britanike, duke pretenduar se me atë rast janë rrezikuar jetë dhe se tifozët që janë fajtorë për dhunë, fyerje raciste dhe janë nën ndikimin e drogës ose alkoolit, duhet të përjashtohen nga stadiumet.
Raporti zbuloi se rreth 2,000 tifozë pa bileta u futën në Wembley më 11 korrik pas 17 përpjekjeve për të “dhunë masive” në portat e stadiumit, me shumë prej tyre që kaluan përmes hyrjes për personat me aftësi të kufizuara, duke u kapur me shkelma e grushte me stjuardët përpara se Anglia të humbiste ndaj Italisë në finalen e parë të një turneu madhor, që nga ai i luajtur në Kupën e Botës tashmë të largët të 1966.
“Sjellja e një pakice mbështetësish të Anglisë jo vetëm që ka qenë e turpshme, por ka vënë në rrezik jetë me pakujdesinë e treguar”, tha Louise Casey, një eksperte ish-zyrtare e qeverisë, në një raport me 129 faqe të publikuar të premten. “Sjellja e frikshme e tifozëve duhet të jetë një thirrje zgjimi për të gjithë ne. Për një kohë të gjatë, veprimet e një pakice tifozësh të Anglisë janë toleruar si pjesë e kulturës sonë kombëtare (edhe pse e turpshme), në vend që të ballafaqohen ballë për ballë”, shtoi ekspertja.
Sipas raportit, nëse Anglia do ta kishte fituar ndeshjen, një grup prej 6000 personash pa bileta mund të kishte sulmuar stadiumin për të parë ceremoninë e ndarjes së çmimeve. “Kërcënimet, agresioni, dhuna, përdorimi i tymueseve dhe fishekzjarreve, hedhja e objekteve duke përfshirë edhe fece, konsumi i tepërt i alkoolit dhe kokainës u kombinuan për të nxitur një atmosferë të ethshme”, tha Casey.
Raporti dënon sjelljen e atyre tifozëve që “shënjestuan personat me aftësi të kufizuara në mënyrë grabitqare” për t’i marrë biletat e hyrjes. Në një incident të frikshëm, një tifoz pa bileta, i maskuar si stjuard, tentoi të hynte në stadium duke përdorur një fëmijë me aftësi të kufizuara, që ia mori fshehurazi babait të tij, si një mënyrë për të kaluar nëpër porta. Edhe familjet e lojtarëve u përfshinë gjithashtu në trazira, ku babai i mbrojtësit të Anglisë, Harry Maguire, u dëmtua në brinjë.