Ramiz Lladrovci merr pjesë në Festivalin e kulturave në Triestë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë pjesë në Festivalin e kulturave që promovon dialogun në Triestë të Italisë.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci ka njoftuar se ka pas nderin që të merr pjesë në këtë festival, ku ka cekur vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar në Kosovë.
Postimi i Lladrovcit:
Pata nderin të marrë pjesë si mysafir i Festivalit të kulturave që promovon dialogun, në Triestë, ku marrin pjesë grupe nga vende të ndryshme të botës duke përfaqësuar kulturën e tyre. Me këtë rast, mbajta edhe fjalë rasti.
Theksova se shkoj nga shteti më i ri në Evropë, të njohur për respektimin e komuniteteve, të prirë nga motoja, Të bashkuar në ndryshime. Kam cekur po ashtu, vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar në Kosovë.
“Ne, e patëm para gati dy deceniesh një luftë që rrezikonte popullin tonë nga shfarosja. Por, duke iu falënderuar miqve tanë, ne së bashku me aleatët tanë u çliruam dhe sot, përcjellim mesazhin e miqësisë dhe tolerancës, theksova aty, duke shtuar se në këtë mesazh është identifikuar brenda personalitetit të Shën Terezës.
Ky personifikim i të mirës universale që përcjellë personaliteti shembullor i Shën Terezës, ne shqiptarëve na bën edhe krenar edhe modest. Kjo lidhje jona me botën, na rikujton edhe sot, në këtë festë të popujve që së bashku përbëjmë vlerën humane, të patjetërsueshme, duke e shndërruar atë në mirëkuptim dhe bashkëpunim mes popujve.
Toleranca ndërmjet popujve dhe civilizimeve duhet ta mbajë të gjallë vepra, si ajo e Shën Terezës, e cila e afroi njerëzimin afër problemeve si uria, varfëria, sëmundja dhe dashuria që aq shumë sot mungon.
Në fund, kam përcjell mesazhin e bashkëpunimit, tolerancës dhe mirëkuptimit, duke qenë i nderuar me ftesën, për të theksuar se popujt janë të bekuar, dhe i ftova ata ta vizitojnë Kosovën, ta shohin në vepër tolerancën dhe bashkëjetesën që jo në Ballkan por as në Evropë nuk mund ta gjejnë. Ne këtë, theksova, nuk e ndërtuam brenda natës, u ndërtua duke qenë në udhëkryqin e historisë, me vlerat themelore si mikpritja, miqësia dhe respekti për fqinjin ndryshe.