Rama thirrje diasporës: Regjistrohuni – me votën tuaj e çojmë Shqipërinë në BE
![Rama thirrje diasporës: Regjistrohuni – me votën tuaj e çojmë Shqipërinë në BE](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/Edi-Rama-1-442x300.png)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje shqiptarëve të diasporës që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, kur mbeten edhe 22 ditë nga përfundimi i afatit.
“11 maji do të jetë një vendim historik për faktin se për herë të parë shqiptarët e Europës dhe të mbarë botës do të votojnë nga jashtë kufijve, nga aty ku janë me postë. Por kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri në 4 mars. Sepse votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar edhe për kthimin është kohë e domosdoshme”, thotë Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare shprehet se deri tani numri i të regjistruarve në faqen e KQZ-së është premtues por sipas Ramës “duhet të jetë shumë më i madh akoma”.
Rama thekson se vota e çdo emigranti që jeton jashtë vendit vlen pasi definon të ardhmen e Shqipërisë, që sipas tij në mandatin e 4-të të PS do të hedhë hapat përfundimtarë të anëtarësimit në BE.
“Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Votimi i çdo kujt që e sheh progresin e Shqipërisë tonë të përbashkët nga një distancë e arsyeshme, vlen. Dhe unë mezi pres të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve të Europës dhe të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deridjeshme. Regjistrohuni, regjistrohuni, regjistrohuni dhe mos e lini për ditën e fundit, kur edhe mund të ngarkohet faqja e KQZ-së dhe të bëhet pastaj shumë më e vështirë. Është fare e thjeshtë, nga kompjuteri, ose nga telefoni, disa minuta për tu bërë pjesë e një momenti historik në rrugën e demokracisë sonë”, nënvizon kryeministri./A2