Rama si përdhunues i kujtimit të gjyshe Hënës
Me siguri gjithkush e mban mend fabulën e asaj gjyshes 80 vjeçare nga Berati me emrin tërheqës, Hëna. Asaj që u bë, për fatin e vet të mire, aktore e një shou propagandistik që Rilindja organizoi menjëherë pas fitores së zgjedhjeve.
Atë grua në moshe e kishin sorrollatur për 5 vite me radhë në zyrat e Aluiznit, duke mos i dhënë legalizimin e shtëpisë. Ngjarja fitoi bujë sepse ajo u “ngrit me vullnetin e saj” në një takim me Ramën. Skena qe e përgatitur me aq kujdes sa aty ndodhej edhe drejtori lokal të cilin kryeministri me arrogancë dhe shpërfillje e çoi në këmbë më fjalët “hajde, hajde pak këtu dhe jep llogari”.
Për vazhdimin e fabulës u kujdes makineria gëbelsiane e informimit. Halli i Hëna Cakës u zgjidh të nesërmen. Ndërsa po të njëjtën ditë publiku u njoftua se e gjithë zyra e Aluiznit në qytetin e ngurtë ishte shkrirë, se 15 punonjësit bashkë me drejtorin ishin pushuar në vend nga puna, për faktin e thjeshtë se ata kishin zvarritur për vite një dosje që mund ta zgjidhnin brenda 24 orëve.
Kokluzioni i përallës ishte i qartë: njerzit torturohen nga drejtuesit e vegjël lokalë, të korruptuar ose të paaftë, ndërkohë që udhëheqësi i madh gjendej aty për ti vënë në vend këto padrejtësi. (video poshte)
Kjo fabul mu kujtua sot një vit e ca më pas, kur pas arrestimeve të dy ish deputetëve të vendosur tani në zyrat e shtetit, kryeministri tha para grupit të vet parlamentar se disa drejtorë po na nxijnë fytyrën me korrupsion dhe keqmenaxhim.
Ajo përsëritet po njësoj.
Po të shohim kronologjinë e pushtetit të rilindasve, ajo përshkohet që prej fillimit po nga i njëjti justifikim.
Kur ishte ende në opozitë dhe bëri koalicionin e 1 prillit me Ilir Metën, shumë nga kritikët e tij e etiketuan Ramën si tradhëtarin që po kërkonte të vinte në pushtet me atë që e kishte quajtur hajduti me bllok në dorë. Ai atëherë u përgjigj se vesi nuk qëndronte tek njeriu, por tek sistemi.
Katër vite më vonë, në fushatën elektorale të 2017, ai e ndryshoi tezën duke pohuar se sistemi kishte dështuar si pasojë e njerzve. Kështu u shpik fabula e tepsisë për të cilën luftonin, sa çamët po aq dhe LSI-stët, të cilët turbullonin ujin që nga burimi i qeverisë rridhte i pastër.
Me një gënjeshtër të re kryeministri i kërkoi shqiptarëve ti besonin ekskluzivisht timonin dhe pasi e arriti këtë, filloi edhe takimet me popullin ku shkëlqeu rasti i gjyshe Hënës.
Që prej asaj kohe, kur bashkë me të ai shpalli nismën e re që do rregullonte gjithçka “platformën e qeverisjes online”, asgjë nuk ka ndryshuar.
Sistemi i Ramës, nuk ka dështuar as se ai importoi “hajdutë me bllok në dorë” nga qeverisja e Berishës, as se ai nuk e frenoi dot oreksin e tepsixhinjve në krah të tij, dhe as se pse në ingranazhet e veta gëlojnë drejtues të vegjël faqezinj.
Ai prodhon gjithnjë të njëjtat rrezultate sepse ai është projektuar si një mkineri në funksion të grabitjes së njëshit. Askush nga “peshqit e vegjël” nuk ëndërron të bëjë nënëpunësin e virtytshëm pasi ka parë atë që ndodh me koncesinet e Check- Up, inceneratorët, apo me kullat e Fushës tek teatri. Nëqoftëse krapi qelbet nga koka, ai nuk mund ta rruajë bishtin të painfektuar. Kjo është drama që i ndodhi Fatos Nanos pas shpalli se qe rimartuar me një grua biznesmene. Kjo i ngjau edhe Sali Berishës, pasi u vërtetua se familiarët e tij u kapën me preshë në duar në Gërdec.
Kjo do të vazhdojë ti ndodhë dhe Ramës. Për mënyrën si ka zgjedhur të qeverisë, ai nuk prodhon dot tjetër veçse drejtorë “që do ti nxijnë faqen”.
Ai mundi ta shtyjë disa kohë duke treguar përralla me tepsi, apo duke organizuar shfaqe me gjyshe të nëpërkëmbura. Por shumë shpejt po rrezulton se ai luan rolin e përdhunuesit dhe jo të bamirësit në fabulat që sajon vetë. Sepse, për të përdorur një shprehje që ai e ka për zemër, Rama nuk mund të na tregojë gishtin, kur gishti tregon Hënën. Dhe Shqipëria e tij është e mbushur me raste rilindasish, si ai drejtori beratas që u ndëshkua për Hëna Cakën.