Rama shpërndan postimin e Grenell për Thaçin: Sa më shumë vazhdon procesi, aq më e madhe njolla e drejtësisë ndërkombëtare

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka rishpërndarë një publikim të të dërguarit të posaçëm amerikan për krizat globale, Richard Grenell, në të cilin ky i fundit shpjegon se si Pavarësia e Kosovës, e cila celebrohet sot më 17 shkurt për të 17-in vit radhazi, është e njollosur nga burgosja e Hashim Thaçit në Hagë, padrejtësisht.
Në publikim, Grenell shkruan se është një kremtim i gëzueshëm përvjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Por, kjo arritje, është e sfumuar prej një padrejtësie të madhe dhe ajo padrejtësi, lidhet me faktin se ati themelues i Kosovës, Hashim Thaçi, është i burgosur padrejtësisht në Hagë.
Në këtë rrafsh, Rama i jep të drejtë Grenellit, duke thënë: “Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë (burgosja e Thaçit), aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë!”, shkruan kryeministri.
Në mbyllje ndërkaq, Grenell shkruan: “Evropianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës”.