Rama reagon ndaj shoferëve të autobusëve nga Podujeva: Respektoni vendimet sikur komunat e tjera

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se me vëmendje është duke e përcjell protestën e vozitësve të autobusëve nga Podujeva kundër vendimit për linjat ndërurbane.
Rama ka thënë se ky vendim është duke u respektuar nga linjat ndërurbane që vijnë nga qytetet e tjera dhe u ka bërë thirrje shoferëve të linjës nga Podujeva që ta respektojnë vendimin, ashtu siç bëjnë edhe linjat e tjera të qyteteve të Kosovës.
“Me vëmendje po përcjell protestën e vozitësve të autobusëve nga Podujeva, të cilët po protestojnë para objektit të Komunës kundër vendimit për linjat ndërurbane, vendim i cili është zbatuar dhe respektuar në vazhdimësi nga linjat ndërurbane që vijnë nga Drenasi, Peja, Gjakova, Mitrovica, Ferizaji dhe qytete të tjera”, ka thënë Rama.
Ai ka sqaruar se ky vendim kërkon që linjat ndërurbane të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikë ndalimi “Stacionin e Autobusëve”. Deri tani, autobusët nga Podujeva kanë qarkulluar edhe brenda Kryeqytetit, gjë që ka rënduar trafikun dhe ka ndërhyrë në kompetencat e trafikut urban, i cili është përgjegjës për shërbimet e trafikut brenda Kryeqytetit.
“Bashkë me ekipin tim kam pritur disa herë përfaqësuesit e linjave nga Podujeva dhe jemi dakorduar që linjat nga Podujeva do të ndalojnë tek “Stacioni i Autobusëve”, ndërkohë që Inspektoriati i Kryeqytetit do të kujdeset për largimin e taksive ilegale në rrugën “Ilir Konushevci”, që potencialisht po dëmtojnë operatorët nga Podujeva”, ka thënë Rama.
“Prandaj, ftoj protestuesit që të respektojnë vendimin për të cilin jemi dakorduar në takimet tona – ashtu siç bëjnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës”, ka shtuar ai.
Rama ka thënës vendimi ndihmon për të ulur ngarkesën e trafikut në rrugën hyrëse dhe dalëse të rrugës “Ilir Konushevci”, e njohur si rruga te “Xhamia e Llapit”.
“Me këtë reformë, qytetarët nga e gjithë Kosova do të mund të udhëtojnë brenda Kryeqytetit për vetëm 80 cent në ditë, duke përdorur një biletë të përbashkët për të gjitha linjat e transportit publik”, është arsyetuar Rama.
Sipas tij, me këtë reformë, qytetarëve të Podujevës dhe të gjithë Llapit u sigurohet parkimi në “Kodër të Trimave”, ku mund të lënë automjetet dhe të përdorin transportin urban për t’u lidhur me pjesët e tjera të qytetit.
“Mosrespektimi i vendimit ka sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjobat e vendosura nga Policia e Kosovës. Vendimet merren për të mirën e përgjithshme të qytetarëve, dhe unë i ftoj protestuesit të respektojnë këto vendime për të siguruar një Kryeqytet më të organizuar dhe më të sigurt për të gjithë”, ka thënë ai.