Radoniqi tregon arsyet pse u vonuan kaq shumë rezultatet e zgjedhjeve

Radoniqi tregon arsyet pse u vonuan kaq shumë rezultatet e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, sqaroi arsyet e vonesave në shpalljen e këtyre rezultateve, transmeton Periskopi.

Radoniqi theksoi se një nga arsyet kryesore të vonesave ka të bëjë me implementimin e ndryshimeve të shumta ligjore.

Ai njoftoi gjithashtu se vonesat janë shkaktuar edhe nga problemi me platformën elektronike të rezultateve.

“Vonesat për shpalljen e rezultateve përfundimtare janë për disa arsye. Një nga arsyet ka të bëjë me zbatimin e ndryshimeve të shumta ligjore, të cilat kanë shtuar detyra për KQZ-në. Arsyeja tjetër ndërlidhet drejtpërdrejtë me platformën elektronike të rezultateve. Problemet me prezantimin e rezultateve preliminare për subjektet politike na kanë detyruar që të shtojmë kontrollin e aktiviteteve edhe në Qendra Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Pra, para publikimit të çdo rezultati ne është dashur që të bëjmë verifikimet tona duke i krahasuar statistikat me format e plotësuara gjatë numërimit dhe kjo sigurisht se ka marrë kohë deri në paraqitjen e rezultateve dhe ka zgjatur procesin”, tha Radoniqi.

Ai gjithashtu theksoi se, pavarësisht problemeve teknike, rezultatet e shpallura sot kanë ndjekur hapat e paraparë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në aktet nënligjore, duke garantuar transparencën e plotë.

“Rikujtojmë se problemet me shfaqjen e rezultateve preliminare për subjektet politike nuk kanë pasur asnjë ndikim në rezultatin e procesit zgjedhor, pasi publikimi i këtyre rezultateve ndodhë vetëm kur mbaron numërimi i fletëvotimeve në vendvotime. Pra, rezultati ishte i evidentuar në formularët e subjekteve politike dhe këta formularë, sipas procedurave, u jepen edhe përfaqësuesve të subjekteve politike dhe vëzhguesve që janë të pranishëm në vendvotim. Pavarësisht këtyre problemeve, rezultatet që sot do t’i shpallim kanë ndjekur hapat e paraparë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në aktet nënligjore, si dhe në kushtet e një transparence të plotë. Si Komision Qendror i Zgjedhjeve kemi qenë unik në reagim për situatën e krijuar, dhe të gjithë jemi angazhuar në evitimin e problemeve. Ne jemi mirënjohës të gjitha subjekteve politike për mirëkuptimin e shprehur për situatën e krijuar”, thekson ai.

Shpërndaje në: