Qysh mund të arrestohet Vladimir Putini për krime lufte?  

Qysh mund të arrestohet Vladimir Putini për krime lufte?  

Numri i civilëve të vrarë në Ukrainë po rritet dhe bashkë me të, po rriten edhe akuzat gjithandej se Moska po kryen krime lufte duke bombarduar dhe targetuar qytete të mbushura me civilë.

Në përpjekje për të evidentuar këto krime, qeveria e Ukrainës ka hapur një front të ri të luftës, duke angazhuar ekipet vizuele të filmojnë të gjitha anët e qyteteve të bombarduara nga Rusia dhe të njëjtat, t’i nisin në adresën e Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në Hagë.

Muajin e kaluar, prokurorët e Gjykatës në Hagë, thanë se kanë hapur një hetim lidhur me krimet e mundshme të luftës në Ukrainë – një lëvizje që u mirëprit nga krerë të qeverieve të Bashkimit Evropian.

Definicioni i krimeve të luftës dhe provat që lypen

Krimet e luftës, sipas ligjit ndërkombëtar, përfshijnë targetimin e civilëve, në atë formë kur dëmet ndaj civilëve, janë në disproporcion me objektivat ushtarake. Këtu përfshihen sulmet ndaj spitaleve, klinikave, shkollave, monumenteve historike dhe anët tjerë ku supozohet se ka civilë gjatë luftës. Poashtu, përfshihet edhe bombardimi i qyteteve, fshatrave dhe rajoneve që nuk janë objektiva ushtarake.

Në të shumtën e rasteve, faktimi i vrasjeve të civilëve në atë formë që përkon me krime lufte, mbetet ende i vështirë.

“Standardi për të hetuar ndonjë rast si krim lufte mbetet tepër i lartë’, thotë për Euroneës, Marti Flacks, drejtori i Iniciativës për të Drejtat e Njeriut në Qendrën për hulumtime Strategjike në Uashington.

“Pritshmëria për të hetuar dikë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit duhet të jetë gatishmëria për të provuar përgjegjësi individuale në këtë çështje dhe për të provuar se nga kush janë dhënë urdhërat për këto krime. Dhe kjo e bën punën mjaft të vështirë, veçanërisht kur bëhet në bashkëpunim me shtetin”, thotë ai.

Për të hetuar dikë, prokurorët duhet të gjejnë fakte se krimet përkojnë me ato krime që përfshijnë gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit ose krime lufte.

Prokurorët e ‘masin’ këtë, duke kërkuar shkallën dhe natyrën e këtyre lloj krimeve.

Gjykata kërkon individë. Nuk kërkon shtete. Në rastin e Ukrainës, Rusia s’mund të jetë ‘e dyshuar’, por Vladimir Putini mund të jetë ‘i dyshuar’.

Një urdhër-arrest për Vladimir Putinin?

Edhe një herë, hetimet duhet të kulmojnë me gjetjen e provave të forta para se të lëshohej një urdhër arrest i mundshëm ndaj Putinit – por ta bësh këtë në këto rrethana, do të ishte tepër e komplikuar.

“Paraprakisht, çdo lloj hetimi për krime përfshinë disa hapa, si faktet e përfshirjes fizike, intervistimin si dhe mbledhjen e dëshmive nga dëshmitarët, mbledhjen dhe kontekstualizimin e informacioneve lidhur me krimet që supozohet se janë kryer. Dhe ta bësh këtë në kontekstin e një lufte që ende po vazhdon, është sërish tepër e vështirë”, thotë zoti Flacks.

Nëse Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, do ta kishte lëshuar një urdhër arrest për Vladimir Putinin, e drejta e këtij të fundit për të udhëtuar do të këputej në moment.

“Praktikisht, nëse do të urdhërohej sjellja e Putinit bashkë me vartësit e tij para Gjykatës, kjo nënkupton se do të duhej të ndërrohej qeveria në Moskë – e sa për idenë që Putini do të mund të arrestohej nga vet njerëzit që e rrethojnë, kjo thjeshtë njëherë duket e pamundur”.

Koha që lypet për ta arrestuar kreun e shtetit

Nëse ka akuza dhe Putini mbetet kryetar shteti, kjo e bën punën edhe më të komplikuar, dhe këso lloj rastesh kemi plot përgjatë historisë ku prania fizike e krerëve të shtetit para gjykatës, ka qenë thjeshtë e pamundur për shkak të pozicioneve që kishin. Kjo është e rëndësishme, pasi Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, nuk e gjykon askë që nuk është i pranishëm aty (fizikisht).

Edhe nëse Putini dhe top ndihmësit e tij ushtarakë ose zyrtarë të tjerë politik nga Moska do të hetoheshin, kjo do të merrte vite të tëra për ta nxjerr një vendim.

“Prokurorëve të Gjykatës iu duhet kohë e gjatë. Për shembull, është duke ndodhur një hetim që prej vitit 2014 lidhur me invazionin rus në Ukrainë dhe ato hetime ende po vazhdojnë”, thotë zoti Flacks,

“Dhe siç  e dimë, prokurorët kanë disa raste që kanë filluar në të 2000-tat dhe ato raste ende po vazhdojnë të hetohen”, thotë tutje ai. /Stefan Grobe/ Euronews/Periskopi

 

Shpërndaje në: