Qysh Korea e Veriut në varfëri të skajshme u bë kaq e fortë në kibernetikë? Ja si për pak i vodhën 1 miliardë dollarë
Në vitin 2016, hakerët nga Korea e Veriut planifikuan vjedhjen e 1 miliardë dollarëve nga banka kombëtare e Bangladeshit dhe për pak sa nuk ia dolën – krejt rastësisht transferimi i këtyre parave u ndal (përveç 81 milionëve që tashmë ishin vjedhur). Por, si ia doli një prej shteteve më të izoluara e me fukarallëkun më të madh të trajnonte një ekip të kriminelëve elitarë kiberbetikë?
Gjithçka nisi me një printer që nuk po funksiononte. Është thjesht pjesë e jetës moderne, dhe prandaj kur i ndodhi stafit në Bankën e Bangladeshit, ata menduan të njëjtën gjë që mendon shumica prej nesh: ditë e re, kokëçarje të reja me teknologjinë. Nuk dukej diçka e madhe.
Por, nuk ishte në pyetje çfarëdo printeri dhe nuk ishte çfarëdo banke.
Banka e Bangladeshit është banka qendrore e këtij vendi, përgjegjëse për mbikëqyrjen e rezervave të thesarit të një vendi ku jetojnë miliona njerëz në varfëri, shkruan BBC, përkthen Periskopi.
Dhe printeri luajti rol tepër të rëndësishëm. Ishte i vendosur brenda dhomës me siguri të lartë në katin e dhjetë të ndërtesës kryesore të bankës në Dhaka, kryeqytet. Puna e tij ishte të prinonte regjistrat e transfereve multi-milionëshe që po rrjedhnin në bankë.
Kur stafi e zbuloi që nuk po funksiononte, në ora 8 e 45 të mëngjesit të së premtes së 5 shkurtit 2016, ata thanë që menduan se ishte “problem i zakonshëm si çdo ditë tjetër.”
“Kësi gjërash kanë ndodhur edhe më herët,” tha menaxheri Zubair Bin Huda para policisë.
Në fakt, ky ishte kallëzuesi i parë që Banka e Bangladeshit ishte në telashe shumë të mëdha. Hakerët ishin futur në rrjetin e saj kompjuterik, dhe mu në atë moment po kryenin sulmin kibernetik më të tmerrshëm që ishte provuar ndonjëherë. Qëllimi i tyre: të vjedhnin miliarda dollarë.
Për të marrë paratë, banda kishte përdorur llogari të rreme bankare, bamirësi, kasino dhe një rrjet të gjerë bashkë-punëtorësh.
Por, kush ishin këta hakerë dhe prej kah ishin?
Sipas hetuesve të gjurmëve digjitale ata ishin nga qeveria e Koresë së Veriut.
Që Korea e Veriut të ishte e dyshuara kryesore për një rast të tillë të krimit kibernetik për dikë mund të jetë surprizë. Ky është një prej vendeve më të varfëra në botë, dhe gati krejt i çlidhur nga komuniteti global – teknologjikisht, ekonomikisht dhe gati në çdo formë tjetër.
E megjithatë, sipas FBI, hakimi në Bankën e Bangladeshit ishte kulmi i përgatitjeve metodike për vite me radhë nga një ekip i fshehtë hakerësh dhe një ndërmjetësi në Azi, që operonin me mbështetjen e regjimit të Koresë së Veriut.
Në industrinë e sigurisë kibernetike, hakerët e Koresë së Veriut njihen si grupi i Llazarit [Lazarus Group], një referencë me një figurë biblike që vjen nga të vdekurit.
Pak gjëra dihen për këtë grup, megjithëse FBI ka identifikuar njërin prej tyre emri i të cilit është si vijon: Park Jin-hyok.
FBI e përshkruan atë si një programues kompjuterik që ka diplomuar në njërin prej universiteteve më të mira në ShBA dhe që gjjeti punë në një kompani koreano-veriore të quajtur Chosun Expo, një qytet bregdetar kinez në Dalian.
Në qershorin e vitit 2018, autoritetet amerikane e akuzuan Parkun për konspiracion, mashtrim e abuzim.
Por, Parku – nëse ky është emri i tij i vërtetë – është mes mijëra koreano-veriorëve tjerë të talentuar në matematikë që po përdoren si hakerë.
Kur stafi i bankës në Bangladesh e rindezi printerin, morën lajme shumë të këqija. Nisën mesazhet urgjente nga Banka e Rezervës Federale në New York – ku Bangladeshi mban llogarinë me dollarë amerikanë. Kjo bankë kishte marrë instruksione, nga Banka e Bangladeshit gjoja, për të zbrazur gjithë llogarinë që peshonte afër një miliard dollarëve.
Bangladeshasit provuan të kontaktonin bankën në New York për t’ju treguar që nuk ishin ata, por hakerët e kishin paraparë një gjë të tillë dhe kjo nuk mund të realizohej.
Hakerët e nisën sulmin e tyre në ora 20:00 të 4 shkurtit kur në New York ishte mëngjes e në Bangladesh pika e natës. Kjo iu dha atyre mundësinë që të plotësonin shumë kërkesa përmes amerikanëve.
E nesërmja ishte ditë vikendi në Bangladesh.
https://www.bbc.com/news/stories-57520169