Qysh i gërryen populizmi standardet morale?

Qysh i gërryen populizmi standardet morale?

Siç kemi parë vitet e fundit, sundimi nga një parti populiste mund të çojë në polarizimin e thellë të një elektorati. Por, ajo gjithashtu gërryen strukturën etike të jetës politike.

Në pamundësi për të mposhtur populistët përmes metodave të zakonshme, partitë tradicionale kanë filluar të imitojnë kundërshtarët e tyre, duke i lënë votuesit pa alternativë tjetër përveçse të përqafojnë cinizmin.

Në shumë vende, madje edhe përkrahësit e partive anti-populliste, kanë filluar të pranojnë me vetëdije sjellje patologjike, thyerje të rregullave dhe madje edhe veprime të paligjshme nga ana e përfaqësuesve të tyre politikë të zgjedhur.

Pas Ligjit të Greshamit i cili mendon se paratë e këqija i dëbojnë të mirat, forcat e opozitës gjithnjë e më shumë ndihen të detyruara të përgatisin skema dhe të mashtrojnë në mënyrë që të fitojnë. Si rezultat, politikanët me skrupuj do ta gjejnë veten në disavantazh. Me gjithnjë e më shumë votues që konkludojnë se populistët duhet të mposhten në lojën e tyre, partitë e opozitës përballen me një zgjedhje midis mbrojtjes së standardeve të tyre etike dhe shpëtimit të demokracisë liberale.

Në këto kushte, politikanët nuk duhet të shqetësohen për humbjen e besimit të mbështetësve të tyre nëse shkelin ligjin në shërbim të partisë. Por, kjo ka tendencë të favorizojë populistët tashmë në pushtet.

Prandaj, partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Polonisë dhe Fidesz në Hungari kanë shijuar një shkallë imuniteti të paparë nga skandalet politike.

Dallimi midis korrupsionit në emër të palës dhe korrupsionit në interes të individit është thelbësor. Në Poloni, kryetari i PiS-it, Jaroslaw Kaczynski, fal nepotizmin e hapur dhe korrupsionin institucional, por dënon format e tjera të vetë-interesit. Zyrtarët e PiS-it punësohen në mënyrë rutinë nga ndërmarrjet në pronësi të shtetit, por me kusht që do të dhurojnë një pjesë të të ardhurave të tyre për partinë.

Dhe, vetë Kaczynski ka raportuar se ka mbyllur një marrëveshje me një biznesmen austriak për të ndërtuar dy kulla të larta në tokën në pronësi të një firme të lidhur me PiS-in. Ndryshe nga kjo, kur u zbulua se kryeministrja polake Beata Szydlo u kishte paguar ministrave të saj shpërblime ekuivalente me pagën e 10 muajve, Kaczynski kërkoi që paratë të dhuroheshin për bamirësi dhe mundësoi nëpërmjet legjislacionit uljen e pagave parlamentare dhe të qeveritarëve të lartë.

Deputetët polakë tani fitojnë rreth 1.800 euro neto në muaj (anëtarët e Parlamentit Evropian fitojnë afro 8.800 euro), gjë që është e mirë për imazhin e partisë, por jo dhe aq e mirë për parandalimin e korrupsionit.

Kohët e fundit, Kaczynski detyroi dorëheqjen e një aleati politik prej një kohe të gjatë, marshallit të Sejm (parlamentit), Marek Kuchcinski, pas zbulimeve se ai kishte përdorur një aeroplan qeveritar për udhëtime private. Kaczynski e kupton që mbështetësit e PiS-it do të pranojnë korrupsion “institucional” që i sjell përfitime partisë, por jo korrupsionin që i sjell përfitime individit.

Kur një politikan përvetëson para ose keqpërdor burimet e qeverisë (siç bëri Kuchcinski), votuesit mund të shohin se akte të tilla nuk u sjellin dobi atyre.

Por, kur një politikan zbulohet se ka ofruar ryshfet ose ka dhënë punë në këmbim të dhurimeve për partinë, votuesit mund të shohin se si këto marrëdhënie korruptive mund të përparojnë “të mirën më të madhe”.

Unë dhe Przemyslaw Sadura nga Universiteti i Varshavës sapo kemi botuar studime mbi qëndrimet e votuesve polakë një muaj para zgjedhjeve parlamentare të Polonisë më 13 tetor. Gjetjet tona zbulojnë shkallën në të cilën cinizmi ka kapur elektoratin polak. Shikoni për shembull përgjigjet e mëposhtme përfaqësuese nga një votues i PiS:

A duhet të falen politikanët si Kaczynski për përfshirjen në korrupsion në një farë mase?

– Jo domosdoshmërish. Nëse po flasim për përfitime materiale individuale, atëherë jo, ai ka marrë fund.

Po sikur të mos kenë qenë për të përfituar ai vetë, por e ëma?

– Nëse do të ishin për partinë, për një të mirë më të madhe, atëherë po, do të priresha ta falja.

Për partinë, jo për veten e tij?

– Po.

Korrupsioni individual mund të jetë i keq jo vetëm sepse shkel standardet morale, por edhe sepse dëmton imazhin e partisë.

Është e lehtë të imagjinohet që mbështetësit e presidentit amerikan Donald Trump ose të kryeministrit britanik Boris Johnson do të ofronin përgjigje të ngjashme.

Në të gjithë perëndimin, cinizmi politik po ngre në këmbë rregullat e politikës dhe po krijon dy sfera të veçanta etike. Akte që votuesit do t’i konsideronin si të papranueshëm në shumicën e fushave të tjera të jetës, papritmas bëhen të virtytshme në një kontekst partizan politik.

Politikanët si kryeministri hungarez Viktor Orban dhe Kaczynski e filluan karrierën e tyre në rrjedhën e përgjithshme dhe përqafuan populizmin si një mjet për të realizuar ambiciet e tyre politike. Por, politikanët që kanë qenë populistë që në fillim kanë rezultuar akoma më skandalozë.

Trump dhe Matteo Salvini i partisë Liga në Itali, për shembull, në fakt, nxjerrin legjitimitet nga skandali. Duke antagonizuar elitat, mediat, institucionet e huaja (mbi të gjitha evropiane) dhe gjyqësorin dhe duke shkelur normat, ata kanë pretenduar mantelin e “origjinalitetit”.

Skandalet politike, sado të shumta, nuk i dëmtojnë figura të tilla. Përkundrazi, ata i bëjnë ata martirë. Partitë opozitare kanë më pak mundësi për t’u përfshirë në korrupsion publik, sepse ato nuk janë në pushtet. Por, nëse ato mund të gjejnë një mënyrë për të rrëzuar populistët në pushtet duke ndjekur rrugë të ulëta, provat sugjerojnë se mbështetësit e tyre nuk do t’i gjykojnë shumë ashpër për këtë. /Project Syndicate/BIRN/

Shpërndaje në: