Quni: Sulmi terrorist i Banjskës mund të përsëritet
Sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku, mund të përsëritet, përderisa ka kontekste të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kështu thotë deputeti dhe anëtari i Komisionit për Siguri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Anton Quni, derisa thekson se në situatën që gjenden këto dy shtete, gjithnjë ka rrezik që të ketë tensione ndëretnike dhe përshkallëzim.
Quni thekson se nuk përjashtohet mundësia që rasti i Banjskës të përsëritet.
Ai thotë se Serbia në bashkëpunim të drejtpërdrejt me Moskën, në forma e metoda të ndryshme, mund të përsëritin raste të ngjashme për të krijuar disavantazhe politike në tavolinën e bisedimeve.
“Përderisa ka kontekste të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjithnjë është një rrezik potencial që në forma të ndryshme, me metoda të ndryshme, që për t’u krijuar disavantazhe politike në tavolinën e bisedimeve, nga autoritet e Serbisë, në bashkëpunim edhe me Moskën drejtpërdrejt, të krijohen situata të cilat pastaj mund të krijojnë tensione ndëretnike dhe përshkallëzim. Filluar nga situatat më të përballueshme, më të menaxhueshme deri tek konfliktet e hapura…
Nuk përjashtohen ndërhyrjet siç kanë qenë rasti i Banjskës, më 24 shtator, kur me ndërhyrjen e grupeve deri në formacione më të mëdhaja të karakterit paramilitar terrorist, këto informacione kinse si shprehje e vullnetit të një pjese të qytetarëve të komunitetit serb dhe kinse në jo koordinim me autoritetet shtetërore ndërmarrin veprime të ndryshme”, thotë Quni.
Përveç kësaj, gjatë intervistës Quni flet edhe për shërbimin e detyruar ushtarak, për çka thotë se nuk e shohin si zgjidhjen më të duhur, derisa përmendi edhe koston e lartë.
Sipas tij, pas rishikimit të strategjisë së sigurisë dhe përcjelljen e trendeve të vendeve perëndimore, është ardhur në përfundim se të rinjtë e Kosovës duhet të kenë disa shkathtësi elementare në rast të ndonjë situate të jashtëzakonshme.
“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK), tanimë e kemi trajtuar këtë temë. Kemi marrë shumë kritere, norma, faktorë, mundësi e të tjera, gjithnjë duke i përcjellë edhe trendet në shtetet e perëndimit, të cilat tani po rishikojnë strategjitë e sigurisë dhe janë në kërkim të formave të ndryshme si qytetarët do të duhej të jenë në shërbim të mbrojtjes së atdheut të tyre.
Duke i pasur të gjitha në konsideratë, ne mendojmë që të rinjtë tanë dhe të kenë disa shkathtësi elementare në rast të ndonjë situatë të jashtëzakonshme. Ata me ato njohuri që i marrin gjatë një arsimimi gjeneral t’i përdorin në situata të jashtëzakonshme. Nuk e mendojmë që shërbimi i detyruar ushtarak është zgjidhja më e mirë, kur e kemi parasysh se e ka një kosto të lartë”, shprehet Quni.
Deputeti i LDK-së, Anton Quni u shpreh se janë të gatshëm për zgjedhjet e reja.
“Ne jemi të përgatitur për çdo situatë. Përvoja, eksperienca, përgatitjet tona, gatishmëria jonë është e nivelit të tillë se çfarëdo situate të krijohet në zgjedhjet e rregullta apo zgjedhjet e jashtëzakonshme, ne do të përgjigjemi dhe do të jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje”, thekson Quni./KP