Quni flet për “përplasjen” brenda LDK-së: U befasuam kur pamë postimin e Hotit

Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë në “Pressing” të T7, se janë befasuar me postimin e Avdullah Hotit ku kërkoi lidership të ri në LDK.
Quni tha se në mbledhjen e kryesisë, Quni kishte vërejtje vetëm për votat e diasporës, por jo edhe për rezultatin e përgjithshëm.
Ai ka thënë se më mirë do të ishte që Hoti të shtronte çështjet në kryesi, sesa në publik.
“Hoti nuk ka shfaqur brenda kryesisë ndonjë pakënaqësi, ka pasur pakënaqësi në lidhje me votat nga diaspora. Lidhje me përformancën e LDK-së, rezultatin e përgjithshëm, nuk ka pasur vërejtje të veçantë. Kur e kemi parë publikimin jemi befasuar, pse do të duhej të trajtohej në publik kur ka qenë mundësitë të trajtoheshin brenda kryesisë”, ka thënë Quni.
Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Driton Selmanaj dhe Rrezarta Krasniqi janë vetëm disa nga figura të larta të LDK’së, të cilët publikisht kanë dalur me reagime ku shprehen të pakënaqur rreth rezultatit të votave të diasporës dhe lidershipit të partisë.
Ndër reagimet më të ashpëra, ishte ky i fundit i ish-kryeministrit Avdullah Hoti, ku drejtpërsëdrejti i dha ‘goditjen’ kryetarit të partisë, Lumir Abdixhikut.
Sipas Hotit, disa prej problemeve më të theksuara kanë qenë ristrukturimi i LDK-së, të cilin ai e quan “selektiv”, si dhe distancimi nga LDK-ja e së kaluarës.
“Orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancimi nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së”, shkroi Hoti në Facebook.
Hoti po ashtu e përmendi si problem të madh edhe personalizimin e partisë, duke përmendur personalizimin e fushatës, përbërjen e listës, renditjen e kandidatëve në listë për deputetë.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcionale në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja”, ka shkruar Hoti ndër të tjera./ Periskopi/
Pse dhe kush po qëndron prapa kërkesës për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut?