QKUK-ja me mungesë të mjekëve dhe infermierëve për trajtimin e pacientëve me kancer
Onkologu Faton Sermaxhaj ka deklaruar se Klinika e Onkologjisë në QKUK po përballet me mungesë të infermierëve, duke shtuar se viteve të fundit janë shtuar rastet me kancer të gjirit.
Ai ka deklaruar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se, është rritur vetëdijesimi i grave për kontroll për kancer të gjirit, duke u shprehur se viteve të fundit diagnostifikimi po ndodh në stadin e parë.
“Viteve të fundit jemi befasuar për të mirë, pasi përqindja e rasteve që diagnostifikohen në kohë të hershme me kancer është më e madhe se e atyre në kohë të avancuar. Pra, mbi 50 për qind e rasteve sot zbulohen në stade të hershme. Kur zbulohet në stad të hershem, pacientit i ofrohet trajtim më i lehtë dhe jetëgjatësia është më e madhe dhe ndonjëherë flasim edhe për shërim të plotë të pacientit”, ka thënë Sermaxhaj.
Sipas tij, aktualisht në Onkologji punojnë 22 onkologë.
“Në Onkologji rreth 150-200 pacientë brenda ditës marrin terapi dhe 70 apo 80 që marrin radioterapi. Ka fluks të madh të pacientëve. Aktualisht mbarëvajtja e punës është në rregull, por aktualisht kemi nevojë për shtim të kapaciteteve njerëzore, si në pjesën mjekësore, por sidomos në pjesën e infermierisë. Për shkak se punën kryesore e bartin infermierët, ata janë në salla dhe teknikisht e kryejnë punën…Kanceri i atakon zakonisht moshat e shtyra, 50-75-vjeçare, por s’përjashtohen as rastet më të reja. Kemi hasur edhe raste nën moshën 30-vjeçare, por këto raste janë të rralla”, është shprehur ai.
Onkologu ka shtuar tutje se kanceri i gjirit mund t’i prekë edhe meshkujt, por kjo është më e rrallë në raport me gratë. Ai tha se aktualisht rreth 5 raste të kancerit të gjirit te meshkujt po trajtohen dhe trajtimi u shpreh se i ka të njëjtat protokolle si te gratë.
Sermaxhaj ka shtuar se një numër i pacientëve me kancer kërkojnë trajtim mjekësor jashtë vendit, e kjo bën që të mos ketë shifra të sakte mbi rastet e kancerit në Kosovë.
“Vazhdimisht i krahasojmë të dhënat dhe dalim më mirë me shifra se vendet e rajonit. Arsyrja e parë është mosha mesatare më e re se vendet e rajonit dhe kjo na vendos në një avantazh. Element jo i mirë është pasi ende s’mund t’i regjistrojmë me saktësi të madhe rastet e reja me kancer pasi nuk kalojnë disa në Klinikën e Onkologjisë”, ka deklaruar ai.