Qindra mijëra tifozë duan përsëritjen e ndeshjes Spanjë-Gjermani, UEFA sqaron vendimin
UEFA ka shpjeguar vendimin kontrovers që nxiti një peticion për të ripërsëritur një ndeshje të Euro 2024.
Përballja e fuqishme ndërmjet Gjermanisë dhe Spanjës përfundoi në mënyrë kontroverse pasi ekipi i Luis de la Fuente avancoi në raundin tjetër në mënyrë dramatike.
Dani Olmo hapi rezultatin menjëherë pas pushimit, ndërsa Florian Wirtz barazoi ndeshjen në minutat e fundit, duke e çuar lojën në vazhdime.
Mikel Merino, ish-lojtar i Newcastle United, shënoi golin e fitores së Spanjës në minutat e fundit të vazhdimeve, transmeton Gazeta Express.
Por përpara se Merino të shënonte golin e fitores për ekipin e tij, Gjermania mendoi se duhej të kishte marrë një penallti kur gjuajtja e Jamal Musialës goditi dorën e Marc Cucurella.
Dora e Cucurella-s ishte pranë trupit të tij, por ai bllokoi përpjekjen e Musialës për të shënuar, duke shkaktuar protesta për penallti.
Protestat për penallti të Gjermanisë u refuzuan nga Anthony Taylor, ndërsa UEFA pritet të marrë një vendim për gjyqtarin e Premierligës.
Vendimi i Taylor-it u mbështet nga Stuart Atwell, i cili ishte në detyrë të VAR-it për ndeshjen çerekfinale.
Vendimi për të mos dhënë një penallti për Gjermaninë zemëroi tifozët, të cilët nisën një peticion duke kërkuar ripërsëritjen e ndeshjes.
Organizata drejtuese e futbollit europian, megjithatë, ka shpjeguar vendimin e saj për të mos dhënë një penallti, ndërsa Roberto Rosetti, kreu i gjyqtarëve të UEFA-s, dha një shpjegim në konferencë.
Ai tregoi një klip të topit që godet krahun e një mbrojtësi nga një gjuajtje drejt portës, me krahun në një pozicion vertikal, afër trupit – ashtu sikurse rasti në ndeshjen Gjermani – Spanjë.
Rosetti tha: “Jo çdo prekje e krahut, dorës është penallti. Ne duam të marrim parasysh lëvizjen e lojtarëve. Lëvizjet biomekanike. Ju e dini, kjo është një situatë e qartë. Kjo kurrë nuk është penallti.”
Spanja avancoi në gjysmëfinale duke e eliminuar Gjermaninë dhe do të përballet me Francën të martën për një vend në finalen e Euro 2024.
Nëse fitojnë, ata do të luajnë me fituesin e ndeshjes Anglia – Holanda.