Qeveria tregon çka folën Lajçaku e Bislimi, përmend tri tema

Qeveria tregon çka folën Lajçaku e Bislimi, përmend tri tema

Zyra për media e Qeverisë së Kosovës ka dhënë detaje nga takimi që ka pasur zëvëndës kryeminsitri Besnik Bislimi me emisarin e BE, Miroslav Lajcak, shkruan Periskopi.

Sipas një njoftimi për media, diskutimet përgjatë takimit u përqendruan në tri tema kryesore: dakordimin dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet rreth hapjes së urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër dhe rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Sipas Qeverisë, Bislimi ka thënë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi është angazhuar si palë konstruktive në dialog.

“Si e tillë ajo mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: