Qeveria skeptike për heqjen e masave nga BE-ja, shkak qasja e Borrellit ndaj Kosovës

Qeveria skeptike për heqjen e masave nga BE-ja, shkak qasja e Borrellit ndaj Kosovës

Qeveria e Kosovës nuk ka pritshmëri të mëdha se javën e ardhshme do të largohen masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për shkak siç thonë qasjes joparimore të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në ekzekutiv deklarojnë se kryediplomati evropian ka pasur qasje të padrejtë ndaj Kosovës, madje e kualifikojnë si të paefektshme edhe mundësinë që në raportin e Borell të përfshihen edhe zhvillimet e fundit në veri sa i përket dinarit dhe shpronësimeve.

Sipas tyre, Kosova s’ka arsye që të shqetësohet edhe nëse nuk hiqen masat, por duhet të pres strukturat e reja në BE për t’i parë cilat do të jenë zhvillimet. Mundësinë e vazhdimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës e shohin edhe njohësit e integrimeve evropiane.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha për KosovaPress, se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për deeskalim në veri, andaj para se të zëvendësohen institucionet nga zgjedhjet në BE duhet të hiqen masat ndëshkuese ndaj vendit.

“Shpresoj se më në fund e bëjnë hapin e duhur para se të zëvendësohen këto institucione nga të tjerat që dalin nga vota që presim së shpejti. Mirëpo, me ato që kemi parë deri tani, si ka qenë trajtimi i padrejtë i Kosovës në raport me shkeljet e Serbisë në procese, nuk është se kam pritje të mëdha…Jo parimor ka qenë qëndrimi i Borell në përgjithësi ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është se kam pritje të larta në hapat e fundit që mund dhe duhet të ndërmerren. Ato masa kanë qenë objekt i një negocimi të zëvendëskryeministrit, Bislmi me Lajçakun në Bratislav, jo vetëm që janë përmbushur ato pesë pika për të cilat janë kuptuar, por janë mbi përmbushur shumëfish, prandaj nuk e di çfarë të them. Është e paparashikueshme për mua. Sa i përket meje, ata mund të fusin edhe gjitha temat tjera që nuk kanë asnjë lidhje me Serbinë, në kuadër të këtyre masave, po nuk është se ka përcjellë ndonjë efekt…Mirëpo, do të na mbetet të shohim zhvillimet e ardhshme. Mendoj, se si Kosovë nuk kemi arsyeje të ngutemi, as të jemi të shqetësuar, do t’i presim strukturat e ardhshme, do t’i shohim cilët persona do të jenë përgjegjës dhe të shohim më tej cili do të jetë zhvillimi. Kemi kohë të mirë për të vazhduar me hapat të rëndësishëm brenda vendit tonë, me implementimin e masave të rëndësishme që i qojnë më tej reformat brenda Kosovës dhe këto reforma të cilat i kemi premtuar dhe zbatuar do të japin rezultatet e tyre”, thotë Gervalla.

Shpërndaje në: