Qeveria serbe urdhëron ministritë t’i përkushtohen Kosovës

Qeveria serbe urdhëron ministritë t’i përkushtohen Kosovës

Serbia, përmes një konkluze qeveritare, i ka urdhëruar ministritë që të zbatojnë aktivitete dhe masa në mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

Ky vendim u mor në një mbledhje të sotme të qeverisë serbe, ku thuhet se janë shqyrtuar masat për Kosovën, të cilat të premten i ka prezantuar presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

“Detyra specifike për zbatimin e masave të paraqitura iu dhanë të gjitha ministrive me qëllim të mbrojtjes së serbëve në Kosovë si dhe fuqizimit të tyre politik, ekonomik dhe social. Pika kyçe e seancës së Qeverisë është që të gjitha ministritë të angazhohen për ruajtjen të pronës, të shpallet Kosova territor i mbrojtjes speciale sociale, të forcohen institucionet, të shkohet në Kuvendin e Serbisë me kërkesë që të shpallen të paligjshme të gjitha aktet e miratuara që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, tha kryeministri serb, Millosh Vuçeviq

Qeveria serbe miratoi gjithashtu një konkluzion me të cilin urdhërohet Ministria e Mbrojtjes të fillojë procedurën për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në kohëzgjatje prej 75 ditësh.

Vuçeviq pret që deri në fund të javës së ardhshme të miratohen ndryshimet në ligjin që heq pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

 

Shpërndaje në: