Qeveria nën kritikë për buxhetin e vitit 2025, RrGK thotë se projektligji nuk pasqyron nevojat e qytetarëve

Qeveria nën kritikë për buxhetin e vitit 2025, RrGK thotë se projektligji nuk pasqyron nevojat e qytetarëve

Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës, ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2025, që arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo shifër përbën një rritje prej afër 9 për qind krahasuar me buxhetin e vitit paraprak.

Megjithatë, ky miratim ka ngjallur reagime të forta nga Rjeti i Grave të Kosovës (RrGK), të cilat janë shprehur thellësisht të shqetësuara për mungesën e konsultimeve publike, siç kërkohet nga Rregullorja Nr.17/2024 e Punës së Qeverisë.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është thellësisht i shqetësuar për miratimin e Projektligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 nga ana e Qeverisë dje, duke qenë se nuk është mbajtur një konsultim publik, siç kërkohet nga Rregullorja (QRK) Nr. 17/2024 e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Më 15 tetor, RrGK dërgoi një letër të hapur Ministrit të Financave, z. Hekuran Murati, duke kërkuar që projektligji t’i nënshtrohet një procesi konsultimi publik.

RrGK thekson se konsultimet publike janë thelbësore për transparencë dhe për të siguruar që projektligji të reflektojë nevojat e të gjithë qytetarëve, përfshirë gratë, burrat, vajzat dhe djemtë. Mungesa e transparencës pengon qytetarët dhe ekspertët të analizojnë ndikimin e buxhetit dhe kufizon informacionin mbi arsyet e përdorimit të burimeve financiare që vijnë nga taksat e tyre.

RrGK bën thirrje për një angazhim më të fortë nga qeveria për transparencë dhe pjesëmarrje të qytetarëve në proceset vendimmarrëse në të ardhmen.

Postimi i plotë:

Shpërndaje në: