Qeveria Kurti po provon të rras duart në pavarsinë e KQZ’së për organizimin e zgjedhjeve

Qeveria Kurti po provon të rras duart në pavarsinë e KQZ’së për organizimin e zgjedhjeve

Qeveria e Kosovës po tenton të ndërhyjë në punën e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, institucion i pavarur, duke provuar që në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të bëhet pjesë e organizimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në krye me Donika Gërvallën po përpiqet për miratimin e një memorandumi bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilit synonte të siguronte “bashkëpunim mes palëve në organizimin dhe administrimin e të gjitha formave të votimit” për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Donika Gërvalla, më 27 nëntor përmes një shkrese zyrtare të cilën e ka siguruar Paparaci, i është drejtuar kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqit, ku kërkon miratimin e hapësirave të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore për organizimin e votimit jashtë vendit.

Sipas sqarimit që ka bërë Gërvalla, në shumë raste, hapësirat ekzistuese janë të kufizuara dhe nuk i plotësojnë standardet për një proces zgjedhor transparent.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme na ngarkon përgjegjësinë për të siguruar që çdo qytetar jashtë vendit me të drejtë vote, ta ketë edhe mundësinë reale të votojë. Prandaj, në ato vende ku hapësirat e misioneve tona janë të vogla për të ofruar mundësinë e votimit për të gjithë qytetarët e asaj zone me të drejtë vote, është e nevojshme që urgjentisht të shqyrtojmë hapësirat shtesë për votim jashtë vendit, pra përfshirjen në qendrat e votimit të hapësirave të shfrytëzuara për qëllime tjera diplomatike dhe konsullore, në përputhje me standardet më të mira.

Përmes kësaj shkrese ftoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë hapësirat e ofruara, si më poshtë, nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe të njëjtat t’i miratojë me procedurë të rregullt ligjore, si vendvotime për votimin fizik jashtë vendit.

Për këtë kërkesë, si Ministri, kemi konsultuar dispozitat ligjore dhe konventat e aplikueshme ndërkombëtare, për t’u siguruar që propozimi është në harmoni me legjislacionin në fuqi. Natyrisht që jemi në dispozicionin tuaj për cilindo shpjegim të nevojshëm”, e nis shkresën ministrja Gërvalla.

Ajo thotë se qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit meritojnë të kenë mundësi të barabarta për të shprehur vullnetin e tyre politik, ashtu siç bëjnë ata që jetojnë brenda kufijve të shtetit tonë.

“Asnjë ligj apo akt nënligjor nuk lë hapësirë për ta kufizuar këtë të drejtë”.

Tutje, ministrja Gërvalla pohon se plotësimi i hapësirave për votim jashtë vendit do të lehtësojë procesin, si një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet me mërgatën tonë dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në proceset demokratike.

Në fund, Gërvalla ka bërë thirrje që KQZ të shqyrtojë kërkesën deri më datë 2 dhjetor 2024.

Paparaci mëson se Komisioni Qendor i Zgjedhjeve pritet të mbajë mbledhje gjatë së hënës ku pritet të merret një vendim për kërkesën e MPJD-së.

 

Shpërndaje në: