Qeveria: Heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është e vonuar
Pikërisht kur pritej që raporti i kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell për heqjen ose jo të masave të vendosura ndaj Kosovës të përfundohej, zhvillimet e fundit po në veri të Kosovës duket të kenë ndikuar në kohëzgjatjen e kësaj pritjeje.
E frikën për zgjatje të procesit me gjasë po e vazhdon edhe mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e BE-së.
Nga zyra e zëvendëskryeministrit bëjnë thirrje që kjo të mos ndodhë gjersa e vlerësojnë heqjen e masave të vonuar.
“Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat ndëshkuese e të padrejta ndaj Kosovës, teksa vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura më herët, përmes marrëveshjes së Bratisllavës. Me mbajtjen dhe përfundimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk ka më asnjë kuptim vazhdimi i mbajtjes së masave. Situata në terren për të cilën padrejtësisht u akuzua Kosova për eskalim, tashmë ka muaj që është de eskaluar”.
“Mbetemi në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në të cilin duhet të konstatohet përmbushja e obligimeve të marra nga autoritetet tona. Çfarëdo konstatimi i ndryshëm do të ishte i padrejtë, do të përbënte shtrembërim të zhvillimeve në terren dhe domosdoshmërisht keqpërdorim të njëanshëm dhe të pakuptimtë të masave nga ana e KE. Veriu i është rikthyer normalitetit e çdo ditë po punohet në integrimin e komunitetit serb, përtej tentativave dhe qasjes destabilizuese të fqinjit tonë verior. Heqja e masave e cila është tejet e vonuar, nuk duhet të shtyhet për më tej në dritën edhe të zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e Bashkimit Evropian. Ripërsërisim thirrjen, për heqjen e tyre sa më parë”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi./Dukagjini