“Qesh mirë kush qesh i fundit, Prokurori po hyn në ujëra të zeza” – Si përfundoi në Prokurorinë Speciale ‘dora e hekurt’ e Vetëvendosjes?
Në prillin e vitit të kaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale u arrestua drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Në mesin e shumë reagimeve të zëshme nga akterë të Lëvizjes Vetëvendosje ishte edhe ai i Dejona Mihalit, koordinatore e Komiteteve në këtë parti. Ajo e akuzoi prokurorin Blerim Isufaj se po “zhytet në ujëra të zeza”. Një vit më vonë Krasniqit iu ngritë aktakuzë. Mihali u ftua të intervistohet nga Prokuroria Speciale.
Prokuroria Speciale sot ka intervistuar Dejona Mihalin. Sipas tyre, ajo është intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale që kjo prokurori i ka në hetim.
Ndërkohë në media u raportua se Mihali po intervistohet për rastin e Nagip Krasniqit pasi që ajo është në dijeni për tenderët milionësh në KEK. Po ashtu edhe për rastin e Faruk Mujkës i cili po dyshohet për keqpërdorimit të detyrës zyrtare në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenc”.
Arrestimi i Nagip Krasniqit në prillin e vitit 2023 e frustroi tej mase Mihalin. Ajo shkoi aq larg sa e akuzoi prokurorin Blerim Isufaj se po zhytet në ujëra të zeza, shkruan Insajderi.
Ndërkohë me ironi tha se “qesh mirë kush qesh i fundit”.
“Do të shihni këto javë e muaj shumë urdhra nga Prokuroria Speciale. Vjet në këtë kohë bën shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim”, shkroi Mihali në Facebook.
“Pse do të thoni ju? Kur ja heq një herë në jetë fletëarrestin kryekriminelit Millan Radojciq çka mendoni ju se mund të bëj tjetër një prokuror si Blerim Isufaj përveçse të zhytet edhe më thellë në ujra të zeza. Por qesh mirë kush qesh i fundit. Prokuror Elezin e detyruan të braktiste Kosovën se nuk ua ‘pastroji’ rastin VETERANËT. Po ne nuk ikim. Jemi shumë. Edhe të vendosur. Kosova SHTET I SË DREJTËS”, theksoi ajo.
Deri vonë Mihali ishte një figurë mitike për publikun. Njihej si “dora e hekurt” e Vetëvendosjes, pasi vendime të rëndësishme në këtë parti merreshin me urdhërin e saj.
Së fundi u zbulua se Mihali ndërhynë edhe në fjalimet dhe postimet në Facebook të deputetëve të VV’së. Kjo u konfirmua edhe në një seancë të Kuvendit të Kosovës ku kamerat kapën bisedat në mes saj dhe deputetes, Adriana Matoshi.
Profili i Dejona Mihalit:
Ani pse Dejona Mihali është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, në web-faqen zyrtare të kësaj partie nuk gjendet biografia e saj, për dallim nga zyrtarët tjerë të VV’së. Si informacion për publikun është dhënë vetëm pozita e saj si ‘Koordinatore e Komiteteve‘.
Për Dejona Mihalin dihet shumë pak. Ajo ka shmangur daljen para kamerave dhe angazhimin publik në Kosovë.
Ishte vera e vitit 2016, kur Policia e Kosovës ndaloi Dejona Mihalin të hynte në Kosovë. Ajo ishte ndaluar në pikën kufitare në Morinë, dhe nuk ishte lejuar që të futej brenda territorit të Kosovës.
Mihali nuk ishte parë në asnjë aktivitet publik në Kosovë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk kishte marrë ndonjë funksion publik gjatë Qeverisë Kurti I apo Qeverisë Kurti II.
Dejona Mihali nuk kishte qenë në mesin e kandidatëve për deputetë të kësaj partie politike për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri. Ajo nuk ka garuar asnjëherë për asnjë funksion publik as në Republikën e Kosovës, për dallim nga kolegët Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha.
Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, para pesë muajve i kishte kërcënuar edhe grevistët e arsimit parauniveristarë me pasoja të mëdha.
Në media ishte raportuar se Mihali ka qenë njeriu më i pushtetshëm në grupin prej 7 personave, ku përveç saj përbëhej nga Boiken Abazi, Nazlie Bala, Xhelal Sveçla, Ismajl Kurteshi, Fatmire Kollqaku, Elvis Hoxha.
Shtatë anëtarë të kryesisë së asaj kohe në Vetëvendosje kishin kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme, pas një fyerje të raportuar nga Aida Dërguti drejtuar liderit Albin Kurti.
Po ashtu, është raportuar se Mihali këmbënguli për rivendosjen e Kurtit si kryetar të partisë duke e quajtur jodemokratike kërkesën e grupit që po largohej që ai të mos kandidonte për kryetar.
Nuk dihet saktësisht, por në media është raportuar se Mihali është 42 vjeçare e lindur në Tiranë. Ajo ka studiuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamentin Filozofi-Sociologji. /Insajderi.org/