Qe tri ditë testime në spital: Mjekët ende s’po e kuptojnë çka shkaktoi arrestin kardiak të Eriksenit
Futbollisti danez, Christian Eriksen, e ka kaluar edhe natën e tretë në spital duke bërë testime, pas arrestit kardiak që e pësoi në ndeshjen e së shtunës me kombëtaren e tij kundër Finlandës.
Por mjekët ende nuk e kanë të qartë pse zemra e tij ndali aq papritmas – dhe kërkimi i shkakut tashmë është prioritet.
“Ishte një 29 vjeçar që po luftonte për jetën e tij,” tha profesor Sanjay Sharma, kardolog.
“Duhet ta dimë se çka ndodhi në të vërtetë.”
Një prej shkaqeve më të zakonshme të arrestit kardiak është ritmi abnormal i zemrës.
Shkaqe të tjera përfshijnë kardiomiopatinë – sëmundje e muskulit të zemrës që afekton madhësinë, formën dhe trashësinë e saj – por edhe miokarditisi akut, ose inflamacioni i muskulit të zemrës, shkruan BBC, përkthen Periskopi.
Skanimet komplekse të zemrës së z. Eriksen do të shqyrtohen nga mjekët për të detektuar nëse ka ndonjë vragë apo abnormalitet në zemrën e tij.
Këto testime janë obligative të bëhen në Britani për çdo dy vjet.
Arresti kardiak ndodh kur zemra papritmas ndalon së pompuari gjak në trup, duke e lënë trurin pa oksigjen dhe duke bërë që personi të mbetet pa vetëdije dhe pa frymëmarrje.
- Eriksen nuk është i vetmi futbollist që ka përjetuar rrest kardiak. Në vitin 2012, një tjetër futbollist, me emrin Fabrice Muamba, ra për toke dhe zemra e tij ndaloi për 78 minuta. Marc-Vivien Foe ndërsa luante për Kamerunin, 28 vjeçar, ishte një tjetër. Po ashtu, edhe Ugo Ehiogu.
Arrestet kardiake mund t’i ndodhin çdokujt në çdo kohë – dhe jo vetëm futbollistëve.
Për çdo javë në Britani, 12 njerëz nën moshën 35 vjeçare vdesin nga arrestet kardiake të papritura. /Periskopi