Që tre ditë sulme ndaj mediave, nga Presidenca asnjë reagim

Që tre ditë sulme ndaj mediave, nga Presidenca asnjë reagim

Janë bërë më shumë se dy javë prej Qeveria Kurti ka miratuar Ligjin për të cilin edhe ndërkombëtarët patën vërejtje, sepse nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës. Miratimi i Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave solli reagime të mëdha si nga përfaqësues të mediave, gazetarë, por ajo që nuk po bën zë ende është e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani. Heshtje s’ka vetëm  për këtë Ligj, por edhe për sulmet që janë duke iu bërë Periskopit nga Vetëvendosje dhe eksponentë të saj…

Ani pse Ligji për KPM-në është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja dhe LDK-ja, presidentja Osmani ende nuk ka dalur me një qëndrim të saj përkundër vërjetjeve dhe kritikave nga ndërkombëtarët. Pas miratimit të Ligjit për KPM, Asociacioni i Gazetarëve me datë 16 korrik i kërkoi Osmanit qëndrim publik për Ligjin për Komisionin e Pavarur të mediave.

“AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve. Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht”, thuhej në reagimin e AGK-së.

Një kërkesë e njejtë ështe përsëritur sot nga kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha. Ai u shpreh se është për keqardhje që ende nuk kanë marr asnjë përgjigje nga ana e Presidentes.

“Ne Presidentës Osmani i kemi bërë një thirrje publike që të formojë qëndrim për KPM-në por edhe pse tash ka një javë që kemi bërë këtë thirrje publike nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, është për keqardhje sepse Presidentja në fjalë do duhej të reagonte edhe për fushatën e fundit linçuese ndaj dy portaleve por nuk e ka bërë një gjë të tillë, është zhgënjyese që nuk formon qëndrim”, deklaroi ai për GazetaBlic.

Derisa Periskopi që tre ditë është duke u përballur me një fushatë linçuese nga partia në pushtet dhe sulmet janë të vazhdueshme, presidentja Osmani prapë po e zgjedh heshtjen.

Periskopi ka dërguar pyetje në zyrën e Presidentës Osmani, madje këshilltari i saj Bekim Kupina u njoftua se kemi dërguar email në lidhje me qëndrimin e Vjosa Osmanit për Ligjin e KPM dhe sulmet e fundit ndaj mediave, por ende nuk kemi marr ndonjë përgjigje nga ana e tyre.

Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?

Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.

Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.

Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.

Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.

Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.

Ndërkohë, për këtë projektligj, ditë më parë ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, duke thënë se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.

Ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.

Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”./Periskopi

IKD: Ligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave shkatërron pavarësinë e tij kushtetuese

 

 

Shpërndaje në: