Qe dy muaj minatorët pa paga, Ferat Shala: Kurti ka plane të errëta për ta çuar drejt falimentimit Trepçën
Derisa ishte në opozitë, Kryeministri Kurti, kritikonte fort partitë e tjera që, sipas tij, e kishin lënë ndërmarrjen publike “Trepça” në “kushte mesjetare”. Madje ai e konsideronte “krim” mosinvestimin në këtë pasuri të vendit. Mirëpo, me të ardh në pushtet ndryshoi. Ai punoi me të njëjtin avaz, mos të themi edhe më keq, shkruan Periskopi.
Po hyjmë në muajin gusht, ndërsa minatorët e kësaj ndërmarrjeje ende rrogat e muajit qershor nuk i kanë marrë.
Ferat Shala, deputeti i PDK-së, njëherit kryetar në Komisionin për Ekonomi, i cili vazhdimisht ka ngritur zërin për gjendjen e tmerrshme të Trepçës, ka kritikuar Qeverinë Kurtin.
Ai në një prononcim për Periskopin ka thënë se gjendja aktuale e ndërmarrjes ka ardh si pasojë e keqmenaxhimit të Qeverisë së Kurtit.
“Po është e vërtet, jo vetëm gjendja financiare e minatorëve, por edhe gjendja e ndërmarrjes është jashtëzakonisht në situatë të rëndë, mos të them para falimentimit. Kjo ardh si rezultat i keqmenaxhimit të skajshëm në këto katër e vitet e fundit nga Qeveria Kurti, kjo ka ardh si rezultat i mosmbajtjes së premtimeve për investime në Ndërmarrjen Trepca, po nga kjo Qeveri, ka ardh si rezultat si edhe i vendosjes së kuadrove joprofesionale, krejtësisht politike, të papërgatitur për të punuar në këtë sektor”, u shpreh ai për Periskopin.
Deputeti Shala ka thënë se dyshon se Qeveria Kurti ka plane të errëta për ta çuar drejt falimentimit Ndërmarrjen “Trepça”.
E, sipas tij kjo do të ketë pasoja të mëdhaja për ekonominë e vendit.
“Tanimë siç duket, Qeveria Kurti është larguar krejtësisht nga Trepça, dhe dyshoj që ka plane krejtësisht të errëta për ta çuar drejt falimentimit apo likfidimit Trepçën, pasojat më të mëdha janë për ekonominë e vendit, por janë edhe duke u goditur rëndë edhe minatorët, të cilët nuk i kanë mar të ardhurat tash e dy muaj e gjysmë. Situata është edhe më e keqe për shkak të borxheve që i ka ndërmarrja në kuptimin ekonomik dhe financiar dhe unë e shoh situatën tejet të vështirësuar, jo pa qëllim dhe pa skenar të kësaj Qeverie”, ka deklaruar deputeti Shala.
Nga Sindikata e Punëtorëve të Treçës për Periskopin, të hënën, kanë fajësuar Qeverinë për mosekzekutimin e pagave.
Ata thonë se Qeveria vet e ka zgjedhur menaxhmentin e ndërmarrjes, dhe për këtë duhet ta mbajë përgjegjësinë.
“Duke mos pasur paga, minatorët janë duke punuar në kushte ekstreme. është një paknaqësi e madhe. Ekzekutimi i pagave dhe sigurimi i shujtave duhet të bëhet sa më parë sepse kushtet janë ekstreme. Qeveria duhet ta mbajë përgjegjës menaxhmentin, sepse vetë ata e kanë zgjedh. është e pakuptimtë se qysh edhe dy ditë po përfundon muaji Korrik dhe pagat as të muajit Qershor nuk kanë dalë. Kjo qasje është e pakuptimtë”, tha z. Jonuzi për Periskopin.
Për këtë, ka reaguar edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Ai tha se aq sa kushton “sfilata para hoteleve luksoze” në Paris, nga krerët e shtetit me suitën e tyre të gjerë, do të mjaftonin për tejkalimin e krizës me minatorë.
“Nuk ka paga për minatorët për arsye se nuk ka para….! ( po thonë)
Krerët e shtetit, me suitën e tyre të gjerë, janë të zënë “me sfilatat para hoteleve luksoze” në Paris. Atë që ata shpenzojnë në Paris do të mjaftonte me siguri për tejkalimin e krizës me minator! Për informacion, lidershipi i Zvicrës që mori pjesë në hapjen e Olimpiadës në Paris është kthyer në Zvicër menjëherë të nesërmen pas hapjes së lojërave”, ka shkruar Pacolli në Facebook./Periskopi