Putin-Zelensky gati për takim, presidentët shprehen të gatshëm për të negociuar

Putin-Zelensky gati për takim, presidentët shprehen të gatshëm për të negociuar

Rusia është e hapur për bisedime edhe me vetë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pavarësisht problemeve që ai ka sa i takon legjitimitetit të tij.

Deklarata është bërë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencia e lajmeve “Tass”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse presidenti rus Putin e konsideron Zelenskyn një armik, Peskov ka thënë se, në këtë çështje nuk ka hapësira për emocionet.

“Duhet të ketë hapësira për analizë juridike dhe pragmatizëm absolut”, ka thënë Peskov.

Ai ka shtuar se edhe kontaktet me administratën e re amerikane për zgjidhjen e krizës ukrainase janë në zhvillim.

“Ato po bëhen përmes departamenteve të caktuara dhe po intensifikohen”, ka shtuar Peskov.

Më herët ka qenë presidenti Zelensky që ka shprehur vullnetin të negociojë direkt me homologun rus. “Nëse ky do të jetë formati i vetëm që mund të sjellë paqe për qytetarët ukrainas dhe jo vdekje, atëherë ne do ta pranojmë atë”, ka thënë Zelensky.

Por ai ka shprehur gjithashtu dëshirën që në tryezën e negociatave të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Në këtë aspekt, i emëruari i posaçëm i presidentit Trump, gjenerali Kethi Kellogg ka deklaruar se do të diskutojë me aleatët propozimet e tij, për t’i dhënë fund luftës.

Bisedimet do të zhvillohen në kuadër të Konferencës së Sigurisë, që mbahet në Mynih nga 14 deri më 16 shkurt. “Do të takohem me aleatët që janë të gatshëm të punojnë me ne”, ka thënë Kellog.

Shpërndaje në: