Putin kërkon falje për rrëzimin e avionit të Azerbajxhanit, pa pranuar përgjegjësinë
Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur keqardhje për rrëzimin tragjik të një avioni të linjës Azerbajxhan Airlines, i cili u përplas pasi hyri në hapësirën ajrore ruse mbi Grozny, Çeçeni. Ngjarja ndodhi të mërkurën dhe përfundoi me 38 viktima, por Putin nuk e ka pranuar përgjegjësinë e Rusisë për incidentin.
Sipas një deklarate të Kremlinit, avioni përpiqej të ulej në aeroportin e Groznit kur sistemet ruse të mbrojtjes ajrore ishin aktive për shkak të sulmeve të raportuara me dron nga Ukraina. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për ulje, avioni u devijua drejt lindjes dhe u rrëzua pranë Aktau, Kazakistan.
Nga 38 personat në bord, shumica ishin shtetas të Azerbajxhanit, Rusisë, Kazakistanit dhe Kirgistanit. Mes të mbijetuarve ishin edhe dy fëmijë.
Ndërkohë, burime amerikane kanë sugjeruar se një sistem anti-ajror rus mund të ketë rrëzuar avionin, por kjo nuk është konfirmuar. Në komentet e tij, Putin shmangu çdo deklaratë të drejtpërdrejtë mbi përfshirjen e mbrojtjes ajrore ruse.
Në një bisedë telefonike me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, Putin kërkoi falje për incidentin dhe e cilësoi atë si një ngjarje tragjike, ndërsa theksoi se sulmet e dronëve luftarakë ukrainas kishin krijuar një situatë të tensionuar në zonë. Hetimet për zbardhjen e rrethanave vazhdojnë./euronews.al