Pushtimi nuk është hajgare, as Evropa një kufomë

Gjuha e cinizmit kundër Ukrainës dhe Evropës nuk është mençuri, por shkarje serioze morale. Një polemikë për dy shkrime; njëri nga Washingtoni dhe tjetri nga Tirana që tregojnë se kur një zhgënjim personal maskohet si analizë, injoranca historike bëhet argument, dhe cinizmi zëvendëson të vërtetën
Ditëve të fundit, nga dita kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë, një rrymë gjithnjë e më e zhurmshme fjalësh dhe postimesh ka mbuluar debatin publik mbi luftën në Ukrainë dhe rolin e Evropës.
Nga Donald Trump që tall Zelenskyn si komedian mediokër dhe e trajton pushtimin rus si një lojë pazari, te Elon Musk që bën humor të rëndomtë mbi tragjedinë e një kombi, e deri te komentatorët që e përshkruajnë Evropën si një kufomë të pafuqishme.
Dy, nga shumë tekste të ngjajshme të botuara me këtë gjuhë, po krijojnë një mjedis të helmuar, ku forca e armëve quhet realpolitik, ndërsa qëndresa ndaj pushtimit cilësohet naivitet.
Në këtë atmosferë, në veçanti këto dy tekste të botuara, që njërin e lexova me sugjerimin e një miku, së fundmi të botuar në shtypin shqiptar, kanë vijuar këtë linjë cinike e denigruese ndaj Evropës, Ukrainës dhe Palestinës, duke u përpjekur të shpallin fundin e fuqisë evropiane dhe vlerave që kjo Evropë përfaqëson.
Por kjo është më shumë se një shkrim dhe i mbështetur nga një cinizëm konjuktural i fuqisë së momentit.
Është një luftë e gjuhës kundër së vërtetës dhe fakteve. E vërteta bazohet në fakte. Kur pushtimi quhet negocim, kur rezistenca ndaj agresionit quhet idiotësi dhe kur fuqia më e madhe demokratike e globit trajtohet si një burokraci e kalbur, atëherë nuk kemi më të bëjmë me analiza, por me një tallje të dhimbjes dhe një deformim të realitetit.
Kur lexova këto dy tekste, që për mua nëse nuk janë provokim i qëllimshëm, përfaqësojnë seriozisht teza të rrezikshme, kuptova që të zgjedhësh të jesh me të fortin ke të drejtë dhe pastaj, të pretendosh të shpallësh fundin e Evropës si forcë politike e morale, në një shkrim, duke vënë në lojë pafuqinë e saj përballë krizave globale, do të thotë që eliminon gjithë përpjekjen e kontinentit duke filluar pas luftës së dytë botërore në ndërtimin e një rendi ku e drejta ka supremacinë kundrejt fuqisë së potencës dhe jeton në botën e Musk, ku robotët e tij shkruajnë për botën pa pasur ndjenjë dhe kujtesë të një procesi të dhimbshëm, por të fortë.
Në thelb, njëra analizë është e shkruar me fuqinë cinike nga Ëashingtoni dhe tjetra nga Tirana, që dorën në zemër, nuk janë dhe nuk mund të quhen analiza, por ushtrime cinike që shpërfillin historinë, shifrat dhe dinamikat reale të pushtetit, duke përfunduar në një fyerje për mendjen e kujtdo që e njeh botën përtej titujve bombastikë.
Së pari, të thuash se Evropa është e pafuqishme përballë tragjedive si ajo e Ukrainës, Lindjes së Mesme apo ndonjë vendi tjetër, është ose injorancë, ose keqdashje.
Sot, e vërtetë Evropa duket se është reduktuar në një entitet të thjeshtë komercial, pa një projekt të qartë politik apo kulturor. Kriza ekonomike, e cila prej vitesh po shkakton vështirësi për shumë shtete anëtare në fakt ve në dukje një paaftësi strukturore për të adresuar problemet themelore politike: koordinimi midis shteteve, ndërmjetësimin midis interesave divergjente, përcaktimin e qëllimeve të përbashkëta.
Por mos harrojmë për asnjë moment se Evropa ama është fuqia më e madhe ekonomike e globit, me një GDP që kapërcen 18 trilionë dollarë, më shumë se Kina. Euroja, pavarësisht krizave, mbetet një nga tre monedhat botërore më të forta. Politikat e Bashkimit Evropian vendosin ekuilibrin në tregtinë globale, nga teknologjia deri te siguria ushqimore. Nëse këto fakte dhe kjo shtrirje quhet pafuqi, çfarë mbetet për të tjerët dhe çfarë epiteti mund t’i jepet atyre.
Së dyti, ndihmat e Evropës për Ukrainën janë më të mëdha se ato të çdo fuqie tjetër, përfshi SHBA-të. Mbi 85 miliardë euro ndihmë financiare dhe ushtarake janë dhënë deri më sot. Disa prej vendeve evropiane kanë dorëzuar arsenalet e tyre për të mbrojtur lirinë e një kombi tjetër. Nëse kjo është dobësi, atëherë pyetja që i jep kuptim fakteve është: Çfarë është fuqia?
Së treti, përqeshja e qëndrimit të Evropës ndaj Palestinës dhe krimeve në Gaza, që pushteti i Netanyahut bën, tregon një keqkuptim fatal për etikën dhe politikën. Edhe pse procesi evropian i paqes tashmë mund të konsiderohet shumë burokratik për të pasur ndonjë rëndësi reale brenda konfliktit, Evropa ka qenë zëri më i fortë për të drejtat e palestinezëve, ndërsa SHBA-të shpesh heshtin përballë Izraelit. Ajo që autorët e këtyre teksteve quajnë hipokrizi është, në fakt, përpjekja e fundit e qytetërimit perëndimor për të ruajtur një standard njerëzor në një botë që po i rikthehet barbarizmit.
Së katërti, tallja me vlerat evropiane si demokracia, liria dhe solidariteti është, në rastin më të mirë, një luks i mendjeve që nuk i kanë përjetuar diktaturat (edhe pse njëri nga autorët një pjesë të jetës e ka pas nën diktaturë) apo nuk ka përjetuar, apo së paku lexuar, për luftërat e shekullit të XX-ë.
Evropa, me të metat e saj, që janë të shumta në vendimmarrje, prapë mbetet vendi ku liria e shtypit, drejtësia sociale, vlerat liberale dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë më të avancuara se kudo tjetër. Ata që e quajnë këtë idiotësi, ndoshta duhet të provojnë një jetë në Moskë, Pekin apo Teheran për të kuptuar ndryshimin.
Së fundi, krahasimet e përcipta mes tragjedive, vuajtjeve të popujve dhe dështimeve politike janë jo vetëm intelektualisht të varfra, por edhe moralisht të ulëta.
Viktimat e luftës në Gaza dhe Ukrainë nuk janë mall për të ushqyer cinizmin e analistëve, që për arsye që s’i kuptoj, as nuk e ndjejnë dot erën e barutit. Ukraina nuk është Palestina, kurse Evropa nuk është një karikaturë burokratësh dhe historia nuk është një skemë thashethemesh për t’u shitur si mençuri.
Ka shumë pika që janë polemizuese mbi sipërfaqësinë dhe deformimet konceptuale në këtë tekst, por më i rëndi ka të bëjë me keqkuptimin e historisë dhe rolin që i jepet Evropës në tekst, si civilizim vetëm pushtuese dhe luftënxitës.
Teksti ndërton një narrativë sipërfaqësore dhe historikisht të pasaktë, duke e pasqyruar dhe reduktuar Evropën vetëm në një makineri pushtimesh e kolonializmi, sikur kontributi i saj në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, shtetit ligjor, arsimit, shkencës dhe kulturës globale të mos ketë ekzistuar. Po të ndjekim logjikën e shkrimit, çdo qytetërim që ka dalë përtej kufijve të tij do duhej të konsiderohej vetëm një pushtues, ndërkohë që realiteti është më kompleks sepse qytetërimet përhapen, ndikojnë, përplasen, por mbi të gjitha, krijojnë risi.
Pa Evropën, bota e sotme do të ishte ndryshe. Shumë vende që sot janë të lira apo të zhvilluara, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Australinë apo Japoninë moderne, shumë vende në Afrikë dhe në Amerikën Latine, nuk do të ishin ato që janë, nëse thellësisht nuk do ta kishin ose janë pa ndikimin evropian.
Madje, edhe lufta për pavarësi e kombeve afrikane e aziatike në procesin e tyre kundër kolonizimit evropian, u zhvillua duke përdorur idetë e lirisë dhe demokracisë, që po ashtu lindën në Evropë. Ajo që dhemb shumë ka të bëj me deformimin e konceptit të pushtimit dhe relativizmi i agresionit rus.
Më rëndë se gjithçka tjetër, teksti bën një përpjekje për të relativizuar pushtimin rus të Ukrainës, duke e paraqitur Evropën si një vrasëse historike, ndërsa Rusia shfaqet si një fuqi që ka çliruar dhe nuk ka pushtuar. Kjo është një lojë e rrezikshme me të vërtetën.
Rusia nuk e çliroi Evropën nga nazizmi dhe më pas shkoi në shtëpi, siç thuhet në tekst. Bashkimi Sovjetik mbajti të pushtuar e të shtypur gjysmën e Evropës për gati pesë dekada, vendosi regjime diktatoriale në Lindje të Evropës dhe ushqeu luftëra civile e shtypje në shumë vende. Së fundi mbajti regjimin e Assadit dhe në emër të gjeopolitikës përkrah edhe Korenë Veriore.
Ukraina nuk është një vend që e hodhi Evropa në zjarr, por një vend sovran që u sulmua brutalisht nga Rusia në vitin 2014 me rastin e aneksimit të Krimesë dhe më pas në vitin 2022 në shkallë të plotë. Lufta nuk është produkt i ndonjë nxitjeje evropiane, por i ambicies neo-imperialiste të Kremlinit.
Pushtimi nuk është një lojë simbolike apo një riorganizim historik. Pushtimi është vrasje, përdhunim, shkatërrim dhe spastrime etnike. Fjalët që relativizojnë këtë dhunë janë dhunë.
Po çka të thuhet për fyerjet dhe banalizimi i tragjedive njerëzore. Janë shokuese si fjali dhe si koncepte.
Teksti nuk ngurron të përdorë një gjuhë që kufizohet me talljen ndaj Ukrainës, Evropës dhe madje edhe emigrantëve.
Emigrantët afrikanë dhe aziatikë paraqiten si një turmë që po pret të thyejë xhamat e Evropës për ta shkatërruar, duke përdorur fjali raciste e frikësuese, sikur njerëzit që ikin nga varfëria apo lufta të jenë një ushtri barbare që kërkon vetëm shkatërrim.
Evropianët quhen idiotë të neveritshëm, një fyerje e hapur që nuk ka asnjë vlerë analitike dhe zbret debatin në nivel personal dhe vulgar.
Përfundimisht, ky tekst nuk është analizë. Është një shpërthim emocional i mbushur me pasaktësi dhe cinizëm, që tenton ta shesë zhgënjimin personal si mençuri politike. Por, të reduktosh historinë e Evropës në një karikaturë të një pushtuesi të falimentuar, të tallesh me luftën e Ukrainës, të kthehesh në apologjet e dhunës ruse dhe të shpallësh emigrantët si armiq, do të thotë të heqësh dorë nga e vërteta dhe dinjiteti njerëzor.
Pikërisht kjo është llogaria që cinizmi nuk ve në peshore. Prandaj, njerëzimi përparon me të drejtën për të mos u pushtuar, me të drejtën për të mos u vrarë dhe me të drejtën për të mos u fyer vetëm se kërkon një jetë më të mirë.
Këto të drejta, për ironi, kanë lindur pikërisht aty ku sot autori sheh vetëm rrënoja që kanë ardhur nga Evropa.
Evropa, ajo që në mitologjinë greke është një princeshë e bukur fenikase dhe për të cilën legjenda tregon se Zeusi, babai i të gjithë perëndive, ra në dashuri me të, e mori dhe e çoi në Kretë ku më pas e joshi.
Ironikisht, ata që e shpallin Evropën të vdekur janë shpesh ata që përfitojnë më shumë nga ajo, qoftë për lirinë e fjalës që u lejon të shkruajnë paqartësi, qoftë për sigurinë që u mundëson të jetojnë pa frikën e tankeve apo dronëve mbi kokë. Pas 55 milionë njerëzish të vrarë në llogoret e Luftës së Dytë Botërore, Evropa shënoi rifillimin e një kontinenti të lirë e të bashkuar, një utopi laike që daton në epokën greke dhe romake dhe që përshkon gjithë historinë deri në epokën moderne.
Sot përtej gjysmë miliardi evropianë jetojnë në paqe dhe liri.
Dhe kjo në një botë ku, rreth nesh, ka rreth dyzet konflikteve të armatosura, të cilat kushtojnë çdo vit jetën e më shumë se 170 mijë njerëzve.
Kjo është fuqia e vërtetë e Evropës – ajo nuk ka nevojë të bërtasë për të dëshmuar forcën e saj.
Dhe për këtë arsye, mbijetesa e saj është shumë më e sigurt se karrierat e atyre që përpiqen ta varrosin me shkronja. Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të ekzistonte sot pa këto vlera.
Prandaj, bota nuk shërohet me shkrime që i përgjigjen konjukturave politike të momentit. Fuqisë së Trumpit, apo edhe parave të Musk.
Cinikët e sotëm, që përbuzin Ukrainën, tallin Evropën dhe relativizojnë pushtimet, nesër do ta ndërrojnë fjalën sapo të fryjë një erë tjetër nga Washingtoni apo Moska. Këto qëndrime kanë jetë të shkurtër, sepse nuk mbështeten në asgjë të qëndrueshme.
Por bota e vërtetë nuk është një skenë deklaratash e postimesh ironike. Bota e vërtetë është në Bucha, ku trupat e viktimave u gjetën të lidhur duar e këmbë.
Bota e vërtetë është në Gaza, ku fëmijët numërohen me mijëra të vdekur.
Bota e vërtetë është në kufijtë e Polonisë, ku refugjatët kërkojnë shpëtim nga lufta.
Bota e vërtetë është liria e popujve dhe e drejta për të mos u pushtuar.
Evropa nuk është e përkyrer, por ajo përfaqëson ende atë që cinikët nuk duan ta kuptojnë, përpjekjen e vazhdueshme për drejtësi dhe paqe.
Dhe në fund, pikërisht kjo përpjekje e gjatë, kokëfortë e ndonjëherë e ngadaltë, është ajo që e bën Evropën më të fortë se të gjitha hajgaret e ditës që po fuqizohen prej gjuhës së Trump dhe cinizmit të Vance në Munich.
Kujtoj vetëm lotët e Hojsberg në Munich, kur me zemër të thyer tha se ligjërimi i zv. Presidentit Amerikan ndan vlerat evropiane dhe Amerikane.
Sepse e vërteta e lotëve të asaj dite është më e qëndrueshme se çdo cinizëm dhe se pushtimi nuk është kurrë shaka, e sidomos kur vjen nga një çmenduri diktatoriale si ajo e Putinit.
Nëse kjo nuk kuptohet, atëherë gjithçka që shkronjat përfaqësojnë duke arsyetuar këto konjuktura, janë shkronja që nuk përfaqësojnë njerëzoren dhe civilizimin që Evropa njeh.