Pushteti i padukshëm – nga Sun Tzu te Makiavelli
Historia e lashtë është e mbushur me shembuj, personazhe dhe ngjarje që konfirmojnë përdorimin e forcave të inteligjencës. Në vitin 4000 para Krishtit, dimë që ka ekzistuar një shërbi informativ, i përdorur në qytetet-shtetet sumere për të mbledhur informacione mbi qytetet përreth dhe për të garantuar ekuilibrin e marrëveshjeve politiko- territoriale
Në imagjinatën kolektive, historia e shërbimeve të fshehtë ka qenë gjithmonë e mbështjellë me mister dhe është e ndarë në episode, komplote, ngjarje ndërkombëtare dhe personazhe të errët, që duke vepruar në klandestinitet, kanë kushtëzuar rrjedhën e ngjarjeve, pa i marrë lëvdatat e historisë. Thënë kjo, për ata që nuk merren me këtë fushë, është legjitime të pyesin si lindën veprimtaritë e fshehta, me çfarë qëllimi, në cilën epokë historike, në cilën zonë gjeografike dhe cilët kanë qenë shkaqet që kanë përcaktuar lindjen e tyre.Do të zbulohet kështu se historia e shërbimeve të fshehtë është e lashtë sa njeriu, që zanati i spiunit i bashkëngjitet kategorive të hapësirës dhe kohës, sepse ka ekzistuar kudo dhe ngahera, dhe se kontrolli i informacioneve ka luajtur një rol të një rëndësie parësore në formimin e shteteve modernë.
Duke lënë jashtë periudhën parahistorike, është e drejtë të themi se vetëm në momentin kur lindën grupimet e parë shoqërorë (në format e ndryshme të strukturuara të fiseve, fshatrave, qendrave urbane, qyteteve-shtete), do të niste përdorimi i veprimeve fillestarë të shërbimeve të fshehtë, me individë të caktuar që ngarkoheshin të mblidhnin sa më shumë informacione të mundshëm, mbi popullsitë e vendosura në afërsi të kufijve.Spiunazhi lindi fillimisht me një funksion të dyfishtë: mbrojtjeje, për të garantuar sigurinë e popullatës, qëndrueshmërinë e institucioneve politike dhe ekuilibrin mes popullsive fqinje; sulmues, si mbështetje për luftën, e cila nuk fitohet vetëm në fushëbetejë me forcën e armëve dhe superioritetin e trupave, por përgatitet duke njohur armikun, pajisjet e tij ushtarake, madje edhe terrenin ku do të ndodhë përplasja. Cdo informacion, i vlerësuar si duhet, mund të ketë një dobi të jashtëzakonshme, deri në pikën që të përcaktojë rezultatin e një konflikti. Zhvilluesi më i lashtë i teorisë së inteligjencës ishte në shekullin VI para Krishtit, gjenerali kinez Sun Tzu, autor i një traktati për strategjinë ushtarake, “Arti i luftës”, që edhe sot e kësaj dite përbën një pikë referimi për historianët dhe të apasionuarit pas kësaj fushe. Sun Tzu ishte i pari që kuptoi rëndësinë e njohjes së sekreteve të kundërshtarit, për ta dobësuar dhe për t’i goditur objektivat më të ndjeshëm; për këtë arsye, mbledhja e informacioneve nuk duhet të jetë frut i një improvizimi të atypëratyshëm, por objektiv i një planifikimi ushtarak të vëmendshëm. “Ajo që përcaktohet si ‘aftësia e parashikimit’ nuk mund të jetë rezultat i përballjeve me ngjarje të jashtme, as edhe resultat i përllogaritjeve. Duhet të përftohet nga njerëz që e njohin mirë situatën e armikut”.
Nga Sun Tzu e këtej, historia e lashtë është e mbushur me shembuj, personazhe dhe ngjarje që konfirmojnë përdorimin e forcave të inteligjencës. Në vitin 4000 para Krishtit, dimë që ka ekzistuar një shërbi informativ, i përdorur në qytetet-shtetet sumere për të mbledhur informacione mbi qytetet përreth dhe për të garantuar ekuilibrin e marrëveshjeve politiko- territoriale. Dy shekuj më vonë, në Egjipt, beteja mes perandorisë së Faraonëve dhe asaj të Ititëve për pushtimin e qytetit të Kadeshit, përveçse një ushtrim ushtarak, ishte mbi të gjitha një lojë spiunësh, që pa në veprim informatorët e Ramsesit II (të angazhuar për të pikasur pozicionin e saktë të ushtrisë kundërshtare) dhe kundërspiunazhit Itit, i infiltruar prapa vijave të armikut, me qëllim vrasjen e krerëve ushtarakë egjiptianë.
Gjithmonë duke qëndruar në Lindjen e Afërme, mësojmë nga Testamenti i Vjetër për një popull, Filistejtë, që të vendosur në Palestinë, përbënin një kërcënim të frikshëm për izraelitët. Eshtë një mendim i përhapur që në luftën e gjatë që vuri përballë dy popujt, hebrejtë kanë përdorur gjerësisht spiunët, falë të cilëve, pasi shtinë në dorë sekrete të rëndësishëm ushtarakë, arritën që të mundin ushtrinë e filistejve, e cila, duke patur parasysh superioritetin e padiskutueshëm ushtarak, do të kishte mundur padyshim ushtrinë e mbretërisë së izraelitëve.
Për të parë një ndryshim domethënës, ose më saktë, për një institucionalizim të zanatit të spiunit, duhet të zhvendosemi gjeografikisht nga Lindja e Afërt, tek Roma perandorake: këtu, veprimet e shërbimeve të fshehtë nuk janë më aksione individësh të paguar nga ai që komandon. Pikërisht këtu do të lindnin strukturat e para të angazhuara për mbledhjen e informacioneve.
Në epokën e Augustit, Garda Pretoriane ishte reparti ushtarak përgjegjës për sigurinë e perandorit, përveçse për misione specialë në fushën publike dhe private. Pjesë e saj ishin “speculatores”, përgjegjës për sigurinë e brendshme, dhe “exploratores”, që kishin detyrën të studionin zakonet e armiqve dhe të garantonin sigurinë e jashtme. Për të mbërritur tek institucionalizimi i një “spiuni profesionist” të vërtetë, duhet pritur periudha e fundit e historisë romake, diku mes shekujve I dhe III. Të kërkuar që në kohën e Adrianit për të vigjiluar në oborrin perandorak, gjatë mbretërimit të Domicianit “fumentarët”, trupa speciale të ushtrisë, u ngarkuan zyrtarisht për mbledhjen e informacioneve: një lloj policie e fshehtë, e detyrën delikate të ruajtjes së sigurisë së institucioneve, në komandë të “princeps peregrinorum”, që i referohej drejtpërdrejtë perandorit. Nën mbretërimin e Dioklecianit, “frumentarët” u goditën dhe sistemi i vjetër i inteligjencës zbuloi paaftësinë e tij. Kufijtë e perandorisë ishin kaq të mëdhenj, saqë garantimi i sigurisë së territorit të saj, i rrezikuar nga presioni i popujve barbarë, u shndërrua në prioritet kryesor. Në këtë kuadër, u krye edhe reformimi i ushtrisë, që u vu në zbatim nga Diokleciani, si dhe riorganizimi i sistemit të sigurisë së Romës.
“Frumentarët” u zëvendësuan nga “agentes in rebus” (agjentë në mision), të cilët morën funksionet e kontrollit, mbledhjes dhe transmetimit të informacioneve. Në thelb, “agentes” ishin spiunë, informatorë, korrierë të besuar të perandorit me detyrën e ruajtjes së sigurisë së brendshme, si dhe për të vepruar si ndërlidhës mes provincës dhe qendrës. Stërvitja e tyre kryhej në shkollën “agentum in rebus”, një akademi autentike formimi, shumë e rreptë që garantonte privilegje dhe prestigj për më të zotët. Pas rënies së Perandorisë Romake, ky Departament i Administratës Perandorake do të dobësohej dhe do të duhej të kalonin shumë kohë, përpara rikthimit tek spiunazhi i sofistikuar.
Një rol të spikatur do të luante në Mesjetë (kulmi do te vinte ne shekullin XVI) Republika e Venecias, e cila e ndodhur nën kërcënimin e vazhdueshëm të forcave të huaja, përdori gjerësisht spiunët e kualifikuar, duke përdorur çdo mjet, të ligjshëm e të paligjshëm (vrasje, komplote, shantazhe), vetëm që të mbronte sigurinë e saj. Vetë Këshilli i të Dhjetëve, organi i saj më i lartë qeverisës, kishte lindur pikërisht me funksionin për të vigjiluar dhe sprapsur çdo rrezik ndaj sigurisë së shtetit, dhe shfrytëzonte informacionet e sjellë nga Spiunët (informatorët e Këshillit) si dhe denoncimet anonime që ruheshin në “Gojët e Luanit”, kontenitorë të shpërndarë nëpër qytet ku venecianët depozitonin informacione shumë të rezervuar, të destinuar për magjistratët.
Duke filluar nga viti 1539, erdhën e u bënë pjesë e Këshillit të të Dhjetëve 3 Inkuizitorët, magjistratë të ngarkuar për të ruajtur sekretet shtetërore. Duke patur një pushtet të pakufizuar në ushtrimin e një “drejtësie të fshehtë”, vendimet e tyre ishin të pa- apelueshëm dhe parashikonin, mes të tjerave, eleminimin gjatë natës në luginën venete, për të gjithë të dënuarit.
Jemi në Rilindje pra, shekulli i Makiavelit, babai i politikës moderne. Për herë të parë në histori, në kundërvënie të plotë ndaj konceptit mesjetar që e interpretonte historinë si një ushtrim të një vullneti hyjnor, dhe e themelonte veprimin politik në parakushte etikë dhe spiritualë, Makiaveli përshkruan një menaxhim të politikës të zhveshur nga feja dhe morali;
Princi, mishërim i këtij ideali, duhet të ketë të gjithë virtutet e mundshëm, por nëse e kërkojnë kohët, duhet që të përshtasë edhe sjellje moralisht negative, dhe të përdorë mprehtësinë dhe dhunën, vetëm e vetëm që të ruajë kontrollin e Principatës. Lindin kështu konceptet e Raison d’Etat, ose më saktë tërësia e objektivave supremë – i pari mbi të gjithë siguria kombëtare – që një shtet duhet të ruajë mbi gjithçka tjetër, dhe Sekreti Shtetëror, që si i tillë duhet mbrojtur nga organet e kontrollit, të cilët kanë lindur specifikisht për të kryer një detyrë të tillë delikate.
Definicioni i konceptit te Sekretit Shtetëror, në mënyrë të veçantë, na kujton rolin e analistit të zbulimit që Makiaveli pati gjatë karrierës së tij politike (i lënë në hije nga historiografia moderne, por jo më pak interesant).Pas Makiavelit, politika nuk do të ishte më e njëjta dhe do arrinte pika specializimi të skajshëm. Drejtimi i res publica-s, e çliruar përfundimisht nga kushtëzimet e moralit dhe fesë, do i bindet që nga ai moment ligjeve laike që synojnë mbrojtjen, zgjerimin e shtetit. Në periudhën e Makiavelit dhe në shekujt që do të vinin, analiza politike do të përqëndrohej mbi të gjitha tek koncepti i Raison d’Etat, tek nevojat e ndërthurura të veprimeve politike dhe mbrojtjen absolute të interesave të organizmave shtetërorë.
Në këtë klimë reflektimi dhe analize të politikës, të kuptuar si kategori kulturore, edhe shërbimet e fshehtë do të konsolidoheshin si institucione të vërtetë dhe pjesë integrale të çdo aparati shtetëror, me ekspertë profesionistë të angazhuar vazhdimisht në mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve, në mbrojtjen e interesit suprem të sigurisë kombëtare. / Përkthimi: Bota.al