Pushteti “nxehet” keq me Lajçakun – Osmani refuzoi të takohet me të në Pragë
Ani pse ishin të dy në Forumin Globsec në Pragë, takim mes tyre nuk pati.
Periskopi merr vesh se Presidentja Osmani nuk ka pranuar të takohet me emisarin e Bashkimit Evropian për diaogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pavarësisht se ky i fundit kërkoi.
Arsyeja nuk dihet.
Lajçak shkroi sot për angazhimet e tij në konferencën e sigurisë, Globsec, duke treguar se është takuar me të angazhuarin e ri të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe Vuçiqin. Takimin me të parin e konsideroi si “moment kryesor” dhe “konfirmim të partneritetit”, ndërsa me presidentin serb tha se foli “për hapat e ardhshëm në Dialog dhe pritshmëritë nga periudha e ardhshme”.
Ndërmjetësi europian paralajmëroi se do ta vizitojë Kosovën pasi të ndalet shkurtimisht në Bruksel dhe pasi të marrë pjesë nē Forumin Strategjik të Bledit. Në Prishtinë, ai tha se do të vijë “për ta përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”.
Osmani të shtunën në një diskutim në konferencën e sigurisë Globsec u ankua për pavarazi mes palëve në dialogun Kosovë-Serbi, duke u u shprehur e sigurt se me ardhjen e Kaja Kallas në detyrën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian “barazia do të kthehet në tryezë”.
“Do të duhet të presim disa muaj”, tha Osmani.
Vetëm edhe disa muaj, Lajçak do të jetë i dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Atij në qershor iu zgjat mandati deri në janar të vitit të ardhshëm./Periskopi