Pushteti injoron ndërkombëtarët: OSBE-ja reagon ashpër pas miratimit të Projektligjit për KPM-në
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar me ashpëri pasi Kuvendi i Kosovës e miratoi sot Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) në kundërshtim me kërkesat e saj, të BE-së, si dhe të Këshillit të Evropës.
Në një reagim për media të enjten pas votimit në Kuvend të Projektligjit për KPM-në, OSBE-ja tha se është e shqetësuar për disa aspekte të projektligjit.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë është i shqetësuar për disa aspekte të miratimit të sotëm nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM)”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.
“KPM-ja luan një rol kyç në kornizën rregullative të mediave të Kosovës. Aftësia e saj për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale ka qenë çelësi i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Ekspertët ndërkombëtarë për të drejtën e medias dhanë, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, thuhet në reagim.
Misioni i OSBE-së tha se mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare.
Lëvizja Vetëvendosje, me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës, pa opozitën, ka miratuar sot Projektligjin për KPM-në në kundërshtim me kërkesat e Bashkimit Evropian.