Pushteti i butë amerikan në epokën e Donald Trump
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, ka treguar pak interes në diplomacinë publike. Dhe, megjithatë diplomacia publike – përpjekjet e qeverisë për të komunikuar drejtpërdrejt me publikun e vendeve të tjera – është një nga instrumentet kyçe që politikëbërësit përdorin për të krijuar pushtet të butë dhe revolucioni aktual i informacionit i bën instrumente të tilla më të rëndësishëm se kurrë.
Sondazhet e opinionit publik dhe indeksi Soft Power 30 në Portland, tregojnë se pushteti i butë amerikan ka rënë që nga fillimi i mandatit të Trumpit. Postimet në Twitter mund të ndihmojnë për të përcaktuar agjendën globale, por ato nuk prodhojnë pushtet të butë nëse nuk janë tërheqëse për të tjerët.
Mbrojtësit e Trumpit përgjigjen se pushteti i butë – ajo që ndodh në mendjet e të tjerëve – është i parëndësishëm. Vetëm pushteti i fortë, me instrumentet e tij ushtarake dhe ekonomike ka rëndësi. Në mars të vitit 2017, drejtori i buxhetit të Trumpit, Mick Mulvaney, deklaroi një “buxhet të pushtetit të fortë” që do të kishte shkurtuar fondet për Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar me rreth 30%.
Fatmirësisht, liderët ushtarakë janë më të zgjuar se aq. Një muaj para njoftimit të Mulvaney, Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes i asaj kohe, James Mattis, paralajmëroi Kongresin, “nëse nuk e financoni plotësisht Departamentin e Shtetit, atëherë më duhet të blej më shumë municione.” Siç vuri në dukje njëherë Henry Kissinger, rendi ndërkombëtar nuk varet vetëm nga ekuilibri i pushtetit të fortë, por edhe nga perceptimet e legjitimitetit, i cili varet shumë nga pushteti i butë.
Revolucionet e informacionit kanë gjithmonë pasoja të thella socio-ekonomike dhe politike – shikoni efektet dramatike të shtypit të Gutenbergut mbi Evropën në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë. Dikush mund ta lidhë revolucionin e tanishëm të informacionit me vitet 1960 dhe ardhjen e “Ligjit të Mooret”: numri i transistorëve në një çip kompjuteri dyfishohet përafërsisht çdo dy vjet. Si rezultat, fuqia informatike u rrit në mënyrë dramatike dhe në fillim të këtij shekulli kushtoi 0.1% të asaj që kushtonte në fillim të viteve 1970.
Në vitin 1993, në botë kishte rreth 50 faqe interneti. Në vitin 2000, ky numër i tejkalonte pesë milionë. Sot më shumë se katër miliardë njerëz janë në internet; ky numër parashikohet të rritet në 5-6 miliardë njerëz deri në vitin 2020 dhe “Interneti i Gjërave” do të lidhë dhjetëra miliarda pajisje. Facebook ka më shumë përdorues sesa popullsia e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara së bashku.
Në një botë të tillë, fuqia për të joshur dhe bindur bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Por, ikën ditët kur diplomacia publike kryhej kryesisht nëpërmjet transmetimeve në radio dhe televizion. Progreset teknologjike kanë çuar në një reduktim dramatik të kostos së përpunimit dhe transmetimit të informacionit. Rezultati është një shpërthim informacioni, i cili ka prodhuar një “paradoks bollëku”: një bollëk informacioni çon në mungesë të vëmendjes.
Kur volumi i informacionit me të cilin përballen njerëzit bëhet i madh, është e vështirë të dish ku të përqendrohesh. Algoritmet e mediave sociale janë të dizajnuara për të konkurruar për vëmendje. Reputacioni bëhet akoma më i rëndësishëm sesa në të kaluarën dhe betejat politike, të informuara nga afinitetet shoqërore dhe ideologjike, shpesh përqendrohen në krijimin dhe shkatërrimin e kredibilitetit. Mediat sociale mund të bëjnë informacione të rreme të duken më të besueshme nëse vijnë nga “miqtë”. Siç tregoi raporti i Robert Muellerit, Këshilltar Special i Shteteve të Bashkuara, për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, kjo i mundësoi Rusisë të përdorte mediat sociale amerikane.
Reputacioni ka pasur gjithmonë rëndësi në politikën botërore, por besueshmëria është bërë një burim energjie edhe më i rëndësishëm. Informacioni që duket të jetë propagandë jo vetëm që mund të përçmohet, por gjithashtu mund të rezultojë kundërproduktiv, nëse dëmton reputacionin e një vendi për besueshmërinë – dhe kështu redukton pushtetin e tij të butë. Propaganda më efikase nuk është propaganda. Është një dialog dypalësh mes njerëzve.
Rusia dhe Kina nuk duket se e kuptojnë këtë dhe ndonjëherë edhe Shtetet e Bashkuara nuk e kalojnë dot këtë test. Gjatë luftës në Irak, për shembull, trajtimi i të burgosurve në Abu Ghraib në një mënyrë të papërputhshme me vlerat amerikane, çoi në perceptime të hipokrizisë që nuk mund të ndryshonin duke transmetuar fotografi të myslimanëve që jetonin mirë në Amerikë. Sot postimet në Twitter të presidentit që vërtetohen se janë të rreme, nënvlerësojnë besueshmërinë e Amerikës dhe reduktojnë pushtetin e saj të butë. Efikasiteti i diplomacisë publike matet nga mendjet e ndryshuara (siç pasqyrohen në intervistat apo sondazhet), jo dollarët e shpenzuar apo nga numri i mesazheve të dërguara.
Politikat e brendshme ose të jashtme që duken hipokrite, arrogante, indiferente ndaj pikëpamjeve të të tjerëve ose të bazuara në një koncept të ngushtë të interesit kombëtar mund të dëmtojnë pushtetin e butë. Për shembull, ka pasur një rënie të madhe në atraktivitetin e SHBA-së në sondazhet e opinioneve të kryera pas pushtimit të Irakut në vitin 2003. Në vitet 1970, shumë njerëz në mbarë botën kundërshtuan luftën amerikane në Vietnam dhe qëndrimi global i Amerikës pasqyronte papëlqyeshmërinë e asaj politike.
Skeptikët shprehen se cikle të tilla tregojnë se pushteti i butë nuk ka shumë rëndësi; vendet bashkëpunojnë jashtë interesit vetjak. Por këtij argumenti i mungon një pikë tepër e rëndësishme: bashkëpunimi është një çështje shkalle dhe shkalla ndikohet nga tërheqja ose përbuzja.
Për fat të mirë, pushteti i butë i një vendi varet jo vetëm nga politikat e tij zyrtare, por edhe nga atraktiviteti i shoqërisë civile. Kur protestuesit po marshonin kundër Luftës së Vietnamit, ata shpesh këndonin “3We shall overcome”, një himn i lëvizjes civile për të drejtat e njeriut në SHBA. Duke pasur parasysh përvojën e kaluar, ka çdo arsye për të shpresuar se SHBA-ja do ta rimarrë pushtetin e saj të butë Trump, edhe pse padyshim do të ndihmonte shumë një investim më i madh në diplomacinë publike. /Project Syndicate/BIRN/