Pushteti e mbroi lajmin shpifës të RTK-së kundër Periskopit dhe ik prej seancës – Opozita reagon ashpër: Rrezikuan jetën e gazetarëve
Në seancën e sotme, pushteti me përfaqësuesin e vet, Valon Ramadanin, e mbrojti lajmin e rrejshëm të RTK-së i cili e akuzoi Periskopin dhe Nacionalen se kinse financohen nga Serbia, duke transmetuar një prodhim nga Slobodna Bosna, një portal në Bosnje e Hercegovinë.
Deputeti Valon Ramadani vetëm sa e trashi sulmin ndaj mediave në Kosovë.
“Kërkesën e kanë për një lajm që ka transmetuar RTK nga një medium i huaj i cili hedh dyshime mbi financat e disa mediave në Kosovë. Që transparenca e financave të mediave përbën shqetësim këtë e ka thënë edhe Raporti i Progresit të BE-së. Dyshimet mbi financimin e mediave nuk janë ‘Fake News’ por shqetësim real”, ka thënë Ramadani.
“Në këtë kohë kur Rusia po bën luftë reale dhe hibride në Ukrainë ne nuk e kemi lluksin të jemi demokratik me financimin me origjinë ruse ose serbe. Brenga këtu e PDK-së është se pikërisht janë përmendur mediume që ua mbajnë vijën dhe ua shtyjnë politikat e tyre”, u shpreh deputeti Ramadani.
Jo mire reaguan nga opozita.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se RTK-ja me lajmin e rrejshëm, ua ka cenuar sigurinë 60 gazetarëve në Kosovë.
“E thotë vet drejtori i TV në RTK, që e involvon AKI-në në këtë lajm të tillë. Kjo ka ardhur nga pushteti. Çka ndodh më tutje, AKI-në e kemi të involuar në pretendimet e gazetarëve të tjerë që janë kritikë ndaj abuzimeve të pushtetit. Sot nuk e kemi të qartë nëse agjentët e AKI-së janë të involuar në përcjelljen e gazetarëve, dhe prodhimin e këtij lajmi që ua ka rrezikuar jetën 60 gazetarëve. Këtyre pretendimeve duhet me ua vendosur kapakun, vetëm një hetim i thellë mbi punën e AKI-së”, tha ai.
Edhe deputetja tjetër e PDK’së, Ganimete Musliu, ka folur lidhur me këtë.
Ajo ka thënë se përmendja e AKI’së para bordit në lidhje shkrimin e “Slobodna Bosna” e ka dëmtuar shumë AKI’në.
Musliu i ka paralajmëruar VV’në që t’i mbajë larg duart nga AKI, teksa ka thënë se në seancën tjetër mund të flasë edhe emër për emër.
“Skandali i drejtorit të RTK’së, Rilind Gërvalla, që e implikon AKI’në në sulmin e RTK’së bërë ndaj dy mediave në Kosovë e dje doli e demantoi veten, e ka dëmtu jashtëzakonisht e tmerrësisht shumë AKI’në, këtë institucion vital për sigurinë e vendit. Dhe kjo gjë nuk guxon të vazhdohet më tutje, kjo praktikë duhet të ndërpritet një herë e mirë. Dhe unë prej kësaj foltore pa dashur të lëshohem në detaje se unë e di mirë sensitivitetin e kësaj çështje, dua vetëm një fjalë t’ia them VV’së, qoftë Dejona Mihalit ose mashave tjera, larg duart nga AKI, sepse nuk ju garantoj që në seancën tjetër dalë flasë emër për emër secilin, për secilin dështim dhe secilën ndërhyrje që po tenton VV ta kapë AKI’në”, tha Musliu.
Përgjegjësi nga RTK-ja për lajmin e rrejshëm kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Ky institucon shkoi edhe më tej. Prodhuan informacione të rrejshme kundër kolegëve të tyre, këto informacione u shpërndanë në emër të një institucioni me rëndësi vitale, në emër të AKI-së. Ky problem i shkaktuar nga kjo qasje, i bazuar në mentalitetin e kapjes, prodhimit të informacionit të pavërtetë, ka rrezikuar jetën e qytetarëve të Kosovës, si gazetar të Kosovës, ka helmuar ambientin politik në Kosovë. Është e rrezikshme për qytetarët e Kosovës. Si mund të lejohet që AKI-ja të përdoret në interes të një grupi politik”, tha Arben Gashi.
Se lajmi i RTK-së ka rrezikuar gazetarët e Periskopit, e tha edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Ka të bëjë me minimin e shtetit. Një shtet e bën të lirë dhe demoratike vetëm atëherë kur fjala e lirë repsketohet dhe transmetohet përmes mediave e në veçanti nga TV publik”.
Ndryshe, Rilind Gërvalla, përmes një postimi në Facebook mbrëmë e ka pranuar publikisht se në mbledhjen e Bordit të RTK-së e ka përmendur Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, megjithatë thotë se e kishte bërë “rrëshqimthi”, derisa thotë se AKI s’ka pasur ndikim tek publikimi i lajmit të Slobodna Bosnas./Periskopi