Pushojnë hetimet ndaj Halil Çadrakut, Koci: Zhvillim i rëndësishëm për të gjitha proceset e tjera që po zhvillohen në Hagë
Avokati Arianit Koci ka njoftuar se kanë pushuar hetimet ndaj klientit të tij, Halil Çadraku, që ishin zhvilluar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Koci ka thënë se pushimi i hetimeve pasqyron një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të fakteve dhe rrethanave të rastit. Sipas Kocit, ky vendim është një zhvillim i rëndësishëm edhe për të gjitha proceset e tjera që po zhvillohen në Hagë.
“Ekipi ynë mbrojtës ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet relevante gjatë gjithë procesit dhe ka qenë i bindur për pafajësinë e klientit tonë. Shpresojmë që ky rast të shërbejë si një shembull i rëndësisë së respektimit të të drejtave të individit dhe zbatimit të drejtësisë së paanshme në të gjitha nivelet”, ka shkruar Koci.