Punoja si hoxhë në burgun e Guantanamos, ja çka më ndodhi
Artikulli i mëposhtëm është shkruar për The Guardian dhe përkthyer nga Periskopi.
Unë isha një prej hoxhallarëve të parë myslimanë në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Klerikët mbrojnë të drejtën e personalit ushtarakë të ShBA-ve për të praktikuar religjionin e tyre. Kjo nënkupton në ofrimin e mbështetjes religjioze, në dhënien e shërbimeve dhe në këshillimin e komandantëve për religjionin, etikën dhe moralin.
Jam rritur në New Jersey si luteran dhe isha ende i krishterë kur diplomova nga akademia ushtarake në West Point, por u takova me dikë që m’i çeli sytë për Islamin dhe ngjashmëritë e saj me fetë e tejra abrahamike. U konvertova në vitin 1991.
Pas West Pointit e lashë ushtrinë për të ndjekur rrugën time shpirtërore dhe shkova të jetoja në Siri për të mësuar që të lexoja Kuranin siç duhej. Nga fundi i dekadës, ushtria amerikane, ndoshta shkaku i korrektësisë politike, po kërkonte të rekrutonte imamë, kështu që u vendosa së pari në Fort Lewis të Washingtonit.
Pak vite më pas, më kërkuan që të shkoja në Gjirin e Guantanamos. Gruaja ime ishte prej Sirisë, nuk kishte familje në Amerikë dhe e kishin një vajzë të vogël. Sapo po rehatoheshim. Por ushtria ngulmoi dhe unë u ndjeva i lakatuar që m’u ofrua kjo sfidë. Pak pas përvjetorit të parë të 11 shtatorit, shkova në Guantanamo dhe u bëra hoxhë atje.
Ishte nëntori i vitit 2002 kur mbërrita, por ajri ishte i lagësht dhe i nxehtë. Në Kampin Delta, kampi permanent i paraburgimit, të burgosurit mbaheshin individualisht në qeli të ngjashme me shpellat të bëra nga rrjetat e çelita të rënda. Ishte diçka për të cilën bota jashtë s’ia kishte idenë në atë kohë.
Punova prej agimit e deri në muzg në rrethana kaotike, ku të burgosurit abuzoheshin dhe poshtëroheshin në baza të përditshme.
Në vizitat e mia të përditshme, të burgosurit shpesh më thonin se çka duhej të duronin gjatë sesioneve kur merreshin në pyetje. Isha dëshmitar i dhëmbëve të thyer e mavijosjeve. Pavarësisht abuzimit fizik, shumica e ankesave direkte që më vinin kishin të bënin me persekutimin religjioz. Rojet e përdhosën kuranin dhe i detyronin të burgosurit që të përkuleshin në qendër të qarqeve satanike. Linja zyrtare ushtarake ishte se tortura nuk ndodhte në Guantanamo. Si një njeri i brendshëm, e dija se kjo ishte rrenë. Disa roje ishin të mirë, por të tjerët ishin abuzivë.
E dija se kush ishin rojet abuzive sepse kur kthehesha në vend të ngjarjes, ata do t’i lajmëronin rojet tjera me britmën, “Hoxha në bllok.” Ishin tre të burgosur që po mbaheshin në një lokacion të ndarë – Kampin Iguana – sepse ishin prej moshës 12 deri në 14 vjeçar. Rojet aty ishin të shkëlqyer.
Kam performuar shërbimet e faljeve myslimane në faltore çdo të premte dhe kam udhëhequr një komunitet myslimanësh amerikanë mjaft të gjallë. Kjo rriste dyshimin, dhe agjentët e FBI-t do të vinin në faltore për të na mbikëqyrur.
Kur nisa të merrja raporte formale se si të burgosurit po abuzoheshin, u akuzova se po merrja anën e terroristëve. U bë e qartë se zyrtarët më donin jashtë – u margjinalizova dhe isha nën mbikëqyrje.
Drejt fundit të kohës time, i mora dy javë pushim, me qëllimin se kur të kthehesha në Fort Lews të bëja gati gjithçka për rikthimin e gruas dhe vajzës time. E lashë bazën dhe hipa në aeroplan për në stacionin detar të Jacksonville në Floridë.
Kur ateruam, më çuan në një dhomë dhe më mori në pyetje FBI. U akuzova për spiunim, se isha bërë me armikun, rebelim dhe kryengritje.
Pasi u burgosa në Floridë për gjsahtë ditë, më çuan në Charleston të Karolinës Jugore, ku i kalova 70 ditë, shumica prej tyre si i burgosur në izolim. Rrugës për atje, isha subjekt i të njëjtit privim dhe i të njëjtave vargonj që kisha parë në Guantanamo. Ishte një sprovë e trishtë.
Ani pse më liruan nga të gjitha akuzat dhe u riktheva në Fort Lewis, u bë e qartë se nuk më besonin më.
Administrata Bush kishte dështuar vendin tim dhe botën në mënyrën më të brengosëse. Ata vendosën burgun në Gjirin e Guantanamos duke besuar që do të ishte jashtë ligjit. Shumë herët, ata e dinin se shumica e të burgosurve ishin të pafajshëm, por i mbanin atje sepse t’i liroje nënkuptonte të dukeshe keq.
Kisha shpresa të mëdha te Barack Obama kur tha se do ta mbyllte kampin e burgut, por këto shpresa mu zhdukën. Tash është obligimi i Joe Bidenit që ta përmbush premtimin e Obamas.
Tash unë punoj me veteranët, duke përdorur artin që t’i ndihmojë ata të kurohen nga tmerret e luftës. Pjesërisht, u largova që ta tregoja rrëfimin tim, të flisja të vërtetën për Guantanamon. E kam bërë një gjë të tillë prej atëherë.